DURRËS, 21 shkurt 2015 –  “Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare” është shpallur nga Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO në nëntor 1999.

“Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare” është festuar çdo vit që nga 21 shkurti i vitit 2000 për të promovuar diversitetin gjuhësor e kulturor dhe shumëgjuhësinë. Kjo datë ka marrë shkak nga demonstratat e nxënësve për njohjen e gjuhës Bangla, e cila është një nga dy gjuhët që flitet në Pakistan.
“Gjuha e mendimeve dhe emocioneve është pasuria jonë më e vlefshme. Shumëgjuhësia është aleati ynë për të siguruar arsim cilësor për të gjithë, për të promovuar përfshirje dhe për të luftuar diskriminimin”, transmetohet në mesazhin e lançuar nga UNESCO.

Gjuhët janë instrumentet më të fuqishme të ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë sonë të prekshme dhe të paprekshme. Të gjitha veprimet për të nxitur përhapjen e gjuhëve amtare do të shërbejnë jo vetëm për të inkurajuar diversitetin gjuhësor dhe edukimin shumëgjuhësh, por edhe për të zhvilluar vetëdijen më të plotë të traditave gjuhësore dhe kulturore në të gjithë botën dhe për të frymëzuar solidaritetin që bazohet  në mirëkuptim, tolerancë dhe dialog.
Shqipëria ka ratifikuar në vitin 2006 konventën e UNESCO-s “Për ruajtjen e diversitetit kulturor” dhe konventën “Për trashëgimi kulturore”, ku gjuha konsiderohet dukuria bazë e trashëgimisë shpirtërore. Aktualisht në listen kombëtare të “Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore” janë vënë në mbrojtje si pasuri kulturore edhe dialekti gegë dhe toskë i gjuhës shqipe.
Sot në “Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare” organizohen dhe zhvillohen në të gjithë botën manifestime për mbrojtjen e gjuhëve amtare, luftën kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtjen e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës.