Në Ditën Botërore të Kancerit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi spitalin Onkologjik në Tiranë, ku vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve për trajtimin e pacientëve gjatë vitit të pandemisë.

Nuk ka qenë një vit i lehtë, por këtu puna nuk është ndalur për asnjë moment dhe janë më shumë se 15 mijë pacientë që kanë marrë shërbime në kohë dhe me cilësi në spitalin onkologjik”- tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se vetëm për terapitë e mjekimit për të sëmurët me kancer, financohen 25 milion euro/vit. Duke vlerësuar punën e shërbimit të radioterapisë ku vetëm gjatë 2020 janë kryer 20 mijë seanca radioterapie falas, me aparatura të teknologjisë së lartë.

Ia kemi dalë që të dyfishojmë numrin e grave të cilat tashmë prej vitit 2018 marrin trajtimin nëpërmjet skemës së rimbursimit, por edhe nëpërmjet terapive në spital 100% të trajtimit me herceptinë falas. Janë rreth 25 milion euro që financojmë/vit për trajtimin e pacientëve me kemiopreparate në spitale dhe nga paketa e barnave të rimbursueshme.

Shërbimi i radioterapisë është tashmë një shërbim i cili nëpërmjet dy aparaturave të teknologjisë së lartë të aksleleratorëve linearë ofron një shërbim shumë të specializuar dhe unë jam e kënaqur që teknika të reja po kryhen shihen herë pas here dhe jo vetëm për të rriturit por gjithashtu edhe për fëmijët”.

Programi Kombëtar i Depistimi të kancerit të qafës së mitrës është një program i cili ka filluar prej vitit 2019 dhe që ka dhënë rezultatet e veta, pasi më shumë se 30 mijë gra janë depistuar nëpërmjet testit HPV në qendrat shëndetësore”- tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në spitalin onkologjik në QSUT, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se është garantuar shërbimi afër vendbanimit për diagnostikimin në kohë dhe trajtimin e grave me kancer gjiri si dhe është garantuar mbulimi 100% falas i trajtimit në banesë për të sëmurët që kërkojnë kujdes paliativ.

Në Ditën Botërore të Kancerit, Ministrja Manastirliu bëri apel për të shfrytëzuar më shumë kontaktin me mjekun e familjes për të parandaluar dhe identifikuar në kohë sëmundjet tumorale. Rreth 6 mijë raste të reja të tumoreve në vit identifikohen në vendin tonë, 90% e të cilave menaxhohen dhe trajtohen nga sistemi shëndetësor public.