DURRES, 18 prill 2013 – Dita ndërkombëtare e monumenteve e gjen të mbyllur për vizitorët muzeun arkeologjik të Durrësit. 18 prilli, është shndërruar në një traditë të përvitshme përsa i përket aktiviteteve që zhvillohen në kuadër të promovimit të vlerave historike e arkeologjike të monumenteve dhe siteve të trashëgimisë kulturore. Por, muzeun e Durrësit, kjo ditë e ka gjetur me dyer të mbyllura për vizitorët. Ky institucion nuk i është bashkuar muzeve të tjera, për shkak se po i nënshtrohet një rikonstruksioni që zgjat prej rreth 2 vitesh.
Eda Çekrezi, specialiste e arkeologjisë, pohon se edhe pse Muzeu Arkeologjik nuk është i vizitueshëm për shkak të rikonstruksionit, në kuadër të kësaj dite nga ana e institucionit ku ajo bën pjesë, është organizuar hyrja falas në monumente të ndryshme, siç është amfiteatri, muzeu etnografik etj, ku çdokush mund të shohë nga afër vlerat historike. Kjo ditë sipas Çekrezit, ndër të tjera luan një rol të rëndësishëm edhe në fokusimin e vëmendjes përsa i përket promovimit të vlerave kulturore e arkeologjike të qytetit bregdetar, por njëkohësisht nxjerr në pah dhe problematikën e monumenteve përsa i përket restaurimit të tyre apo mirëmbajtjes.
Muzeu Arkeologjik
Muzeu arkeologjik i Durrësit, më i madhi i këtij lloji në vendin tonë, në fund të muajit maj do të ketë një pamje tjetër. Punimet për restaurimin e Muzeut Arkeologjik, sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Durrës, Ermion Arapi, po ecin me ritme të shpejta, ndërsa pritet të përmbyllen në fund të muajit maj. Me përfundimin e rikonstruksionit të mjediseve të brendshme të muzeut, lyerjes së fasadës dhe përforcimit të kolonave, puna sipas Arapit po përqëndrohet në përcaktimin e ekspozimit të objekteve me rëndësi të veçantë historike e arkeologjike, por edhe në pastrimin dhe sistemimin e ambjenteve rreth godinës së muzeut. Objektet që ndodhen në fondet e muzeut janë mjaft të rëndësishme për historinë e qytetit 3000-vjeçar, veçanërisht në periudhën e mesjetës së hershme dhe të mesme, ndaj ekspozimi i tyre vijon më tej Arapi, parashikon të shtojë interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj për qytetin antik.
Punimet
Punimet për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit nisën në shtator të vitit 2011, ndërsa fondi i akorduar nga ministria e Kulturës është 102 milion lekë. Punimet, të cilat sipas kontratës duhet të zgjasnin 8 muaj, kanë tejkaluar disa herë afatet për shkak të probleme teknike të hasura gjatë zbatimit të projektit, por edhe për shkak të zhvendosjes së objekteve me vlerë arkeologjike gjatë kryerjes së punimeve me qëllim që këta të fundit të mos dëmtoheshin. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Durrës, Ermion Arapi, shpjegon se zhvendosja e objekteve nga brenda ambjentit në një magazinë të jashtme, problemet me pronësinë që hasën gjatë ndërtimit të magazinës, por edhe probleme të tjera teknike, ndikuan në tejkalimin e afateve të përcaktuara për restaurimin e Muzeut.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





