20 qershori është dita ndërkombëtare e refugjatëve. Në këtë kuadër Ministria e Brendshme, ka nisur një fushatë sensibilizuese që synon të ndihmojë në integrimin e refugjatëve.

Në qendrën kombëtare pritëse të azilkërkuesve, në Babrru, u zhvillua një aktivitet ku ishte e pranishme edhe zëvendës ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, e cila u shpreh se kjo ditë merr një tjetër kontekst në këtë vit dramatik sa i përket situatës së refugjatëve.

“Nëse do shihnim situatën e azilkërkuesve në vite, në 2013 ka pasur vetëm 431 mijë azilkërkues në mbarë Europën. Ky numër është rritur me 627 mijë në 2014-ën. Dhe ka arritur në 1,3 milion në 2015. Pikërisht ky numër aplikimesh i rritur me 50% tregon dhe njëherë si jemi ne në këtë situatë, e sa të bashkuar do jenë të gjithë vendet, pa përdorur vende të tjera si tampone për të mbyllur një plagë pa e shëruar atë”- ka thënë Gjebrea.

Ndërsa përfaqësuesja e UNHCR-së, Maria Helene, vlerësoi rolin e qeverisë shqiptare në akomodimin e azilkërkuesve.

“Deri tani nuk kemi pasur numrin e madh të refugjatëve që kemi parë në rajon. Jam shumë e prekur nga ajo që kam parë nga qeveria shqiptare, që ka bërë të pamundurën që këto raste të akomodohen dhe të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme për ta bërë jetën e tyre sa më komode.

Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka pritur azilkërkues nga të gjitha kombësitë dhe është angazhuar në ngritjen e kapaciteteve për të ardhur në ndihmë të kësaj kategorie personash. Disa prej tyre janë pajisur me karta identiteti ose dokumenta tranziti”- është shprehur Helene.