Në Ditën Botërore të Ujit, me qindra nxënës të 15 shkollave 9-vjeçare dhe të mesme si dhe studentë të UAMD-së u bënë bashkë në një marshim sensibilizues për mbrojtjen e mjedisit. Së bashku me mësuesit e tyre, nxënësit kishin marrë me vete thasët me mbetje plastike, të cilat do të dërgohen për riciklim dhe paratë e mbledhura do të përdoren për blerjen e mjeteve shkollore.

“Këto shishe plastike që ne i kemi në shtëpitë tona ne nuk duhet t’i hedhim më në kosha të zakonshëm, por mund t’i riciklojmë dhe t’i kthejmë në mjete shkollore. Shishet e ujit, të shampove, të detergjentëve etj  mund të bashkohen dhe kthehen në mjete shkollore. Këtij sensibilizimi nuk i bashkohen vetëm nxënësit e shkollave dhe universiteteve, por edhe qytetarët e kompanitë private” ,- deklaroi Laura Gjyli, nga lëvizja “River Clean Up”.

Aksioni i lëvizjes vullnetare “River Clean Up” nisi nga shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”, ndërsa më pas marshimi u zhvendos në rrugët kryesore të qytetit dhe në amfiteatër. Prej vitesh, mësues dhe drejtues të shkollave të Durrësit i janë bashkuar kësaj lëvizjeje për të përcjellë mesazhin e Edukatës Qytetare dhe Mjedisore jo vetëm tek nxënësit, por edhe më gjerë.

“Ky është aktiviteti i 21-të që “River Clean Up” organizon në të gjitha shkollat e Durrësit për të mbledhur plastikën dhe për të ruajtur lumin Ishëm nga plastika”,– tha mësuese Marsida Mezja nga shkolla “Bajram Curri”.

Ndërsa drejtoresha e shkollës “14 nëntori”, Merita Kuçi tha se “po bashkojmë forcat për mbledhjen e plastikës, në misionin e madh të edukimit vullnetar, por njëkohësisht përpjekja që po bën ky organizim që të hyjë në lëndën e “Edukatës qytetare” në shkollat 9-vjeçare”.

Në mënyrë simbolike, të gjitha shkollat pjesëmarrëse mblodhën thasët me mbetje plastike në amfiteatër, ndërsa etapa e radhës e marshimit të tyre ishte shëtitorja “Taulantia”. Prej më shumë se 3 vitesh, lëvizja “River Clean Up”  ka ndërmarrë me dhjetëra aksione pastrimi në lumin Ishëm, lumi më i ndotur në Evropë nga mbetjet plastike.  

M.B.