Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga përmbytja e Durrësit, uji ende nuk është larguar nga banesat në zonën e ish-Kënetës.
Pamjet që “DurrësLajm” po publikon, të filmuara mëngjesin e sotëm, dëshmojnë realitetin e trishtë të dhjetëra familjeve në këtë zonë, që ende sot përballen me ujin që nuk u është larguar nga shtëpitë e tyre.
Pavarësisht publikimit të videove nga ana e kryetares së bashkisë Emiriana Sako për funksionimin e të 2 hidrovorëve me kapacitet të plotë, si dhe ndërhyrjes që po bëhet për zgjerimin e kanalit të ujërave të larta në zonën e Urës së Dajlanit, shumë pak gjë ka ndryshuar në terren.
Dy ditët e fundit (të enjten dhe të premten) banorët të përmbytur të kësaj zone, të mbështetur edhe nga eksponentë të Partisë Demokratike kanë protestuar para bashkisë së qytetit, ku kanë kërkuar nga autoritetet lokale normalizimin e situatës në lagjen e përmbytur dhe vënien në punë të hidrovorëve, të cilët sipas opozitës nuk kanë punuar me kapacitet të plotë dhe kjo është një nga arsyet se pse qyteti bregdetar u përmbyt dhe uji ende nuk është larguar nga zona të caktuara.





