TIRANË – Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se duhet bërë gjithçka për të stimuluar mikrokredinë në mënyrë që të ndihmohen më shumë shtresa e varfër e popullsisë.
Gjatë fjalës së tij në konferencën "Albania Social Bussines Day", që u zhvillua në Hotel “Sheraton”, edhe me pjesëmarrjen e Prof. Muhammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel, për teorinë e tij të trajtimit të problemeve sociale si varfëria nëpërmjet ngritjes dhe zhvillimit të bizneseve sociale, Kryeministri theksoi se “kjo konferencë është një ngjarje madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Kryeministri Berisha e krahasoi punën e nobelistit Yunus në disa aspekte, me veprimtarinë e Nënë Terezës. Dëgjuat nobelistin Muhammad Yunus për luftën e tij kundër varfërisë. Përpjekjet e tij mbinjerëzore për të aftësuar gratë dhe burrat e varfër për ndërtimin e një jete më të mirë. Profesor Yunus, në disa aspekte mund të ketë si binjake siameze Nënë Terezën, e cila së bashku motrat e saj trajtonin njerëz, fëmijë, burra, gra, tërësisht të braktisur. Unë pyeta veten, pse merrej me trajtimin e këtyre njerëzve. Përgjigja ishte e thjeshtë, sepse mjekësia konvencionale nuk merrej me to. Edhe familja i kishte braktisur ato dhe ajo në këtë hapësirë kishte zgjedhur të operonte. Profesor Yunus sërish zgjodhi të operojë në një hapësirë ku sistemi, shoqëria, qeveria, ku sistemi konvencional, i bazuar në iniciativën e lirë, jo për diktaturat, por për sistemin e bazuar në iniciativën e lirë, jo vetem që nuk bën, por në një rreth vicioz mund ta dramatizojë edhe më shumë këtë situate”, tha kreu i qeverisë.
Pak javë më parë, shtoi Kryeministri, “një grup ndërkombëtar shumë prestigjioz më sollën një studim, ku shihej kthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Kthimi i pasurive në mirëqenie. Ky grup analizonte rreth 96 tregues në njërin indeks dhe 51 tregues në indeksin tjetër. Pra ishte një nga studimet më gjithpërfshirëse. Këtu gjendet se Shqipëria renditej e 4-ta për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Qeveritë asgjë nuk kanë më të vështirë sesa shpërndarjen e të ardhurave, sesa parandalimin e thellimit të kanionit që ekziston mes atyre që pasurohen me shpejtësi dhe atyre që varfërohen. Në Shqipëri, ky grup gjen se, renditet e 4-ta me Zvicrën, Brazilin dhe Kongon, për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët.
“Cilido që jeton në këtë vend e sheh, konstaton se në Shqipëri, në një hark kohor 7- vjeçar janë ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë. Nuk ka mirëqenie pa ndërtuar rrugë, shkolla, kanalizime. Kjo ka bërë që të ketë një shndërrim të rritjes ekonomike në mirëqenie në nivelet më të mira. Sërish në hapësirën ku Profesor Yunus operon ekziston një problem pasi këto janë politika makroekonomike dhe ka një rreth vicioz. Ky gjeni e ka shndërruar këtë në një rreth virtuoz, ku e gjithë magjia e punës së tij është ndërprerja e një rrethi vicioz dhe ndërtimi aty i një rrethi virtuoz”, u shpreh Kryeministri.
Sipas kreu të qeverisë, “Profesor Yunus iu dha një leksion të shkëlqyer të gjitha qeverive të botës, të gjitha financave të botës. Mikrokredia është përdorur edhe më parë, por tani duhet përdorur periodikisht. Është ajo që i humanizon financat në këtë sistem”.
“Në Shqipëri, 20 vjet më parë, ne ishim vendi i 3-t më i varfër i planetit, për të ardhurat për frymë. Por Shqipëria me shpejtësi u shkëput nga grupi i vendeve me të ardhura të ulta, më pas me të ardhura të mesme dhe u fut në grupin me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria kishte një varfëri ekstreme prej 8.4 % në 2005, kjo zbriti në 1.2 % në vitin 2008”, tha Berisha, duke shtuar se, “kjo tregon se varfëria mund dhe duhet të luftohet”.
Sipas Kryeministrit, “të gjitha këto janë përpjekje makro, dhe asnjëherë nuk mund të realizohen nëse nuk vendoset të shërbehen me një set tjetër masash që në vlerësimin tim, në bindjen time, janë të pazëvendësueshme. Do të ishte në interesin më të mirë, në dinjitetin më të madh të sektorit konvencional të përfitonte nga ky sektor, të bashkëpunonte me këtë sektor. Por këto janë skema të vetëfinancueshme, të qëndrueshme dhe janë shumë të suksesshme”.
Kryeministri Berisha gjithashtu vlerësoi ndihmën që Profesor Yunus ka dhënë për gratë dhe vajzat e mbetura vetëm pas luftës në Kosove. “Në periudhën e luftës në Kosovë, kur mijëra gra dhe vajza kishin humbur të afërmit e tyre, profesor Yunus bëri të mundur që ato të rifillonin jetën e tyre”.
Sipas Kryeministrit, pushteti i ekonomisë së grave, vajzave është mjaft i rëndësishëm. “Qeveria ime ka bërë përpjekje shumë serioze në zbutjen e pabarazisë së madhe financiare që ekzistonte, në rrogat e burra dhe grave në këtë vend. Në vitin 2005 ky realitet ishte 36%, qeveria e ka ulur në 7.7%, në mesataren e BE-së, madje ka dhe vende që e kanë më të madhe se kaq”, tha Berisha.
Por prapë, shtoi kreu i ekzekutivit, “kjo përjashton të varfrit, sepse përfshin buxhetorët. Kjo skemë e mbështetur kryesisht me gruan kryefamiljare bën një hap mjaft të madh të zvogëlimit të murit të patriarkisë dhe të ecet me vendosmëri drejt asaj që e quajmë barazi gjinore, por që në realitet është pabarazi gjinore”.
“Në mënyrën më të përsëritur u kërkojmë bankave, që kreditë ti orientojnë drejt grave. Por bankat janë qenie pa zemër dhe kjo nuk ndodh, ndaj dhe ky aktivitet është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Konferenca e sotme “Dita e Biznesit Social” u organizua nga “Yunus Social Business (YSB)” dhe “Agjencia Nxitja e Biznesit Social (NBS)” në kudër të “Lëvizjes Gjithpërfshirëse të Biznesit Social në Shqipëri”.
“Lëvizja Gjithpërfshirëse e Biznesit Social në Shqipëri”, që zbatohet nga YSB në bashkëpunim me NBS, me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe të organizative të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ka filluar në mes-2012 dhe ka për qëllim të nxisë dhe mbështesë zhvillimin e bizneseve sociale në rajone dhe sektorë të ndryshëm që kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve sociale apo mjedisore të grupeve të margjinalizuara në Shqipëri.
Në aktivitetin “Dita e Biznesit Social, Shqipëri” morën pjesë gjithashtu një sërë përfaqësuesish të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, organizatave jo-qeveritare, sipërmarrësve, grave, grupeve rinore, media, etj.