Presidenti Bajram Begaj, në aktivitetin e organizuar në Ditën e Drejtësisë tha se mbështet SPAK dhe GJKKO në dhënien e drejtësisë.

Ai tha se drejtësia ka forcën, kurajën dhe energjinë të përballet e të triumfojë kundër krimit, ndërsa shtoi se për herë të parë kultura e pandëshkueshmërisë u trondit thellë.

“10 vjet më parë, me mbështetjen e vyer të miqve dhe partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, nisi reforma në drejtësi, e cila është historike për nga rëndësia.

Reforma nuk ishte vetëm një ndryshim strukturor, por edhe një angazhim i qartë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të ndërtuar një shoqëri ku sundimi i ligjit është shtyllë kryesore.

Ajo erdhi si nevojë e kohës dhe aspiratë e kahershme e qytetarëve tanë për të pasur një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe efektive.

Një drejtësi e tillë është edhe kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Standardet janë vendosur brenda kornizës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që solli reforma në drejtësi.

Çështje parësore tashmë mbetet zbatimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i këtyre standardeve me përgjegjësi dhe prioritet.

Rezultatet e reformës janë të prekshme.

Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën, kurajën dhe energjinë të punojë, të përballet e të triumfojë kundër krimit.

Për herë të parë pas shumë dekadash, kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë. Kjo duhet përgëzuar dhe mbështetur. Ritheksoj mbështetjen e plotë, pa asnjë rezerve ndaj Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe Gjykata e Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO-së për kontributin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Begaj.