Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka inspektuar një tjetër pallat si pasojë e aksionit për konfiskimin e kateve dhe metrave shtesë të ndërtuara pa leje.
Çuçi ishte në Farkë, ku një ndërtesë kishte rreth 1200 metra katrorë shtesa kati pa leje. Ministri nënvizoi edhe alternativat që ka ndërtuesi.
“Jemi në zonën e Farkës ku grupi verifikues në zbatim të ligjit 119/2020 dhe VKM së fundit që kemi miratuar për konfiskimin e shtesave pa leje dhe ndërtimeve pa leje ka verifikuar një ndërtesë tjetër e cila ka rreth 1200 metra katrorë jashtë lejes shtesa kati. Në zbatim të vendimit të qeverisë këtij subjekti do t’i lejmë dy opsione.
Opsioni i parë është ta parablejë shtesën që është jashtë lejes me çmimin e tregut të indeksuar. Edhe në rastin kur e parablen do të shkojnë në dispozicion të Agjencisë së Shpronësimeve në mënyrë që të paguhen shpronësimet që bëhen për qëllime publike.
Opsioni i dytë është që ta dhurojë këtë volum ndërtimi, pra shtesat e katit dhe në këtë rast këto kate shkojnë në favor të entit të banesave për të akomoduar shërbimet sociale.
Nëse nuk zgjedh asnjë nga këto opsionet do të konfiskohet për interes publik. Në rast se ndërtuesi zgjedh dy opsionet e para menjëherë fillojnë dhe procedurat e legalizimit dhe i gjithë objekti shkon për t’u legalizuar dhe në këtë rast shmanget nga ndjekja penale. Në të gjitha rastet duhet thënë që gjoba do të paguhet. Grupet vazhdojnë të verifikojnë duke filluar nga Tirana dhe duke vazhduar në të gjithë Shqipërinë. Ky operacion do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë”, tha Çuçi.