Prokurorët kanë paralajmëruar se sot do t’iu duhen diku rreth 2 orë për t’i shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve dhe në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West do të mbajë një fjalë përmbledhëse. Më pas fjalën do ta ketë mbrojtësi i viktimave.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit. Prokuroria e ka nisur fjalën e vet duke thënë se të akuzuarit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”.

Në fjalën e vet, Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi ka qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal, dhe që kjo gjë mund të vërtetohet bazuar në mënyrën se si ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova. Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

Prokurorët, më pas, u janë referuar disa deklaratave në Komunikatën 53 të UÇK-së, të 18 shtatorit 1998, në të cilën Shtabi i Përgjithshëm ka deklaruar se “vetëm në Sferkë, Prapaqan dhe Baran, ku dezertorët, ish-anëtarë të UDB-së, aktualisht institucionalistët sikurse Tahir Zemaj kanë influencë, armiku nuk gjeti rezistencë, pavarësisht se këto fshatra u dogjën, u përvëluan dhe u shkatërruan. Një ditë këta persona do të mbajnë përgjegjësi për dëmet që po u shkaktojnë popullit dhe mëmëdheut”. Sipas Prokurorisë, ky ishte mesazh i qartë për ata që pengonin kontrollin e UÇK-së.

“Të përshkruhen kontributet e Thaçit si neutrale, është absurde, sepse ka prova për të vërtetuar të kundërtën. Nuk është kontribut neutral të thuash këto fjalë nga një pozicion siç kishte Thaçi dhe nuk është kontribut neutral të marrësh në pyetje, të kërcënosh, të rrahësh persona në Qirez”. Hashim Thaçi përshkruhet si njëri prej themeluesve të UÇK-së, duke cituar disa deklarata të Azem Sylës./REL