Sot është dita e dytë dhe përmbyllëse e samitit të liderëve të Bashkimit Europian, ku mes tjerash po diskutohet edhe për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë temë është folur edhe gjatë të enjtes, ku në takim ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ishte një diskutim mjaft dinamik dhe shumë pjesëmarrës folën për këtë temë. Por, porosia kryesore ishte se duhet të veprohet shpejt për shtensionimin e situatës”, është shprehur një zyrtar i BE-së, sipas asaj që raporton Radio Evropa e Lirë.

Në përfundimin e punimeve duhet që të miratohet edhe teksti i konkluzioneve, siç është procedura gjatë samiteve të liderëve të BE-së. Në atë dokument duhet të përfshihet edhe një paragraf për Kosovën dhe Serbinë, dhe një tjetër për zgjerimin.