Nga Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi*
Në çdo 9 maj, Dita e Evropës na kujton se bashkimi, bashkëpunimi dhe vizioni i përbashkët janë themelet mbi të cilat është ndërtuar një kontinent i paqes, dijes dhe zhvillimit. Për ne në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), kjo ditë nuk është vetëm simbolike por është një realitet i përditshëm. Sepse sot mund të themi me bindje: Evropa ka ardhur në Durrës.
Ky nuk është një pohim retorik. Është një transformim konkret që po ndodh përmes ndërkombëtarizimit të universitetit tonë dhe përfshirjes së tij në rrjetet më prestigjioze akademike evropiane. UAMD është pjesë e aleancës universitare evropiane STARS EU, një bashkësi institucionesh që ndajnë vlera, standarde dhe ambicie të përbashkëta për të ardhmen e arsimit të lartë në Evropë. Përmes kësaj aleance, në të cilën UAMD është anëtare me të drejta të plota me tetë universitete të tjera nga vendet e BE, studentët dhe stafi ynë i shkëlqyer janë tashmë pjesë e një hapësire të integruar akademike, ku kufijtë kombëtarë zëvendësohen nga mundësitë e përbashkëta.
Një nga treguesit më domethënës të këtij transformimi janë diplomat e përbashkëta me universitete partnere evropiane. Tashmë kemi 18 të tilla e vitin e ardhshëm presim të arrijmë 30 diploma të përbashkëta dhe të dyfishta. Studentët e UAMD nuk janë më vetëm studentë në Durrës; ata janë studentë evropianë që studiojnë, përjetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre në disa vende njëkohësisht, si Itali, Portugali, Spanjë, etj. Mobiliteti akademik, shkëmbimi i eksperiencave dhe ekspozimi ndaj sistemeve të ndryshme arsimore po krijojnë një brez të ri profesionistësh të përgatitur për një treg pune global.
Ndërkombëtarizimi i UAMD nuk ndalet këtu. Universiteti ynë është i pari në Shqipëri që ka një revistë shkencore të indeksuar në SCOPUS, duke vendosur një standard të ri për kërkimin shkencor në vend. Ky është një hap i rëndësishëm që e vendos Durrësin në hartën ndërkombëtare të prodhimit dhe shpërndarjes së dijes, duke i dhënë zë studiuesve tanë në komunitetin global akademik.
Një moment kulmor i këtij rrugëtimi ishte muaji mars 2025, kur Durrësi u kthye në një qendër të vërtetë të Evropës universitare. Mbi 300 akademikë, rektorë dhe presidentë universitetesh nga vendet e Bashkimit Evropian u mblodhën në UAMD, duke sjellë me vete jo vetëm përvojën dhe ekspertizën e tyre, por edhe një mesazh të qartë: Shqipëria është pjesë e pandashme e së ardhmes evropiane të arsimit të lartë.
Kjo ngjarje nuk ishte thjesht një konferencë e organizuar nga universiteti ynë por ishte një dëshmi se UAMD është tashmë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Evropës. Ishte një moment ku Durrësi nuk ishte vetëm mikpritës, por bashkëkrijues i ideve, politikave dhe vizioneve për universitetin e së nesërmes.
Sot, në Ditën e Evropës, kemi arsye të jemi krenarë. Krenarë që kemi ndërtuar një universitet që nuk pret Evropën të vijë, por e sjell atë çdo ditë në auditorët dhe jetën akademike të studentëve tanë. Krenarë që UAMD është një shembull se si përkushtimi ndaj cilësisë, hapjes dhe bashkëpunimit mund të shndërrojë një institucion lokal në një aktor evropian.
Evropa nuk është më një aspiratë e largët. Ajo është këtu, në Durrës, në çdo student që përmes diplomave tona të përbashkëta apo mobiliteteve që ne ofrojmë, studion apo trajnohet jashtë vendit dhe kthehet me përvojë të re, në çdo profesor që bashkëpunon me kolegë ndërkombëtarë, në çdo projekt të përbashkët që ndërton ura të reja dijesh.
Përmes aleancës evropiane universitare STARS EU, së bashku me universitetet partnere evropiane ne do arrijmë kampusin virtual dhe atë fizik duke e bërë Evropën edhe më të prekshme, këtu, ndër ne, në Durrës.
Dhe ky është vetëm fillimi.
*Rektor, UAMD





