·        Mund të kemi të bëjmë me një lojë politike të hollë, përderisa e përditshmja e afërt me Kryesinë e PS-së, merr përsipër të sulmojë qeverisjen vendore me kryetar z. Vangjush Dako, që është anëtar i Kryesisë së PS-së

DURRËS, 10 korrik 2014 –  Ndonëse ende nuk janë shpallur zyrtarisht në Buletinin e Prokurimeve Publike rezultatet e tenderëve “të majmë” me fonde të qeverisë qendrore për rrugën paralel me portin dhe korsitë e biçikletave në Plazh, e përditshmja “Dita” e afërt me shumicën qeverisëse, ka hapur faqen e parë më 10 korrik 2014, me titullin kryesor “Skandal me tenderët në bashkinë e Durrësit”.

Shkrimi shoqërohet me një karikaturë: “podiumi i përmbysur” i garës në dy tenderët e fundit: shpallen fitues vendi i 11-të dhe i 5-të (!) 113 milionë më shumë nga oferta e parë”.

Gjasat janë se mund të kemi të bëjmë me një lojë politike të hollë, përderisa e përditshmja e afërt me Kryesinë e PS-së, merr përsipër të sulmojë qeverisjen vendore me kryetar z. Vangjush Dako, që është anëtar i Kryesisë së PS-së.

“Dita” ka zbuluar “detajet e para të një gare të kthyer në farsë. Çfarë ndodhi me 170 milionë për korsinë e biçikletave dhe gjelbërimin dhe me 271 milionët e rrugës paralel me portin. Jo vetëm përmbysje arrogante e renditjes, por edhe fitues të përjashtuar nga prokurimet publike. Paradoksi vijon edhe te forma e animimit…

Tenderi për ndërtimin e rrugës së re paralel me murin e portit, me një fond 272 916 180 lekë (rreth 2 milionë euro) u zhvillua më 26 maj 2014.

Tenderi për projektin e realizimit të korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia” në Plazh me një fond 170 440 260 lekë (1,2 milion euro) u zhvillua më 22 maj 2014.

“Dyrrah”- është interesuar në bashki, më 13 qershor 2014, se kur do të shpalleshin rezultatet e këtyre dy tenderëve me vlerë gjithsej prej 3,2 milionë dollarëve (shih: www.durreslajm.com/speciale/durres-rruga-paralel-me-portin-kjo-autostrade-urbane).

Por nuk u mor përgjigje më 16 qershor në buletinin e prokurimeve publike, ndërkohë komisioni i vlerësimit të ofertave as në buletinin e datës 7 korrik 2014 nuk ka shpallur rezultatet.

Me sa duket, shifrat e larta të investimeve, përplasjet mes klasterëve të ndërtimit në Tiranë dhe Durrës, kanë bllokuar veprimet dhe kanë çuar në media atë që po diskutohet në bashki.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/