Pas betimit në sallën e Këshillit të Qarkut, Valbona Sako i ngjiti për herë të parë shkallët e bashkisë Durrës si kryebashkiake e qytetit bregdetar.
E shoqëruar nga tashmë ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, ajo u ul në zyrën, ku mendohet se do të kalojë pjesën më të madhe të ditës në javët e vitet në vazhdim.
Së bashku me Dakon, ajo firmosi procesverbalin e marrjes së detyrës dhe mori në dorëzim dosjen nga paraardhësi i saj.
Përpara largimit nga institucioni që drejtoi për 12 vite, Dako mblodhi edhe njëherë të gjithë drejtorët e bashkisë për të prezantuar para tyre pasardhësen e tij.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Dako falenderoi stafin e tij për bashkëpunimin e gjatë dhe rezultatet e arritura në drejtimin e qytetit. Vlen të theksohet se pjesa më e madhe e drejtorëve më të rëndësishëm të bashkisë së Durrësit janë në këtë post që nga mandati i parë i Dakos.
Pas largimit nga bashkia të parardhësit të saj, Sako ka vijuar punën në zyrën e saj.
Nga java e ardhshme, nis sfida e vërtetë e Valbona Sakos në krye të bashkisë së dytë për nga rëndësia në vend.
“Nga sot, kjo është zyra juaj, e gjithë qytetarëve durrsakë, për të vijuar së bashku punën për zhvillimin e mëtejshëm të bashkisë sonë”,- tha Sako në fjalën e saj pas betimit si kryebashkiake.
Fakti që Durrësi do të drejtohet për herë të parë nga një femër do të bëjë që sytë e të gjithëve të jenë të drejtuar tek Valbona Sako.
Është ende herët për të folur për ndryshimet e pritshme në staf apo për realizimin në praktikë të vizionit të saj për zhvillimin e Durrësit.
“Jemi të nderuar për këtë besim që na keni dhënë, që na i shton përgjegjësitë për punët e mira që meriton qyteti ynë!”,– tha Sako.
Ajo për të cilën Valbona Sako është e qartë është se sfida që ka marrë përsipër nënkupton shumë punë për t’i dhënë qytetit dhe qytetarëve të tij Durrësin që duam të gjithë.





