Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako nga shkolla 9-vjeçare “Jusuf Puka”, ka uruar nxënësit, prindërit dhe mësuesit për një sezon sa më të mbarë shkollor si dhe ka bërë thirrje për të zbatuar me përpikmëri protokollin shëndetësor. 

Me anë të një postimi në “Facebook”, Sako shkruan se Durrësi këtë vit ka 14 shkolla të reja me standarte evropiane dhe të gjitha të tjerat në funksion të plotë.

“Dua ti siguroj nxënësit, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë të Durrësit.”,– mbyllet postimi i kryebashkiakes Sako.

POSTIMI I PLOTË:

Nga shkolla “Jusuf Puka” i uroj nga zemra nxënësve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë një vit sa më të mbarë e sa më të suksesshëm shkollor.

Një urim të veçantë për ata nxënës që ulen për herë të parë në bankat shkollore duke nisur rrugën e bukur të dijes. Me punë dhe përkushtim, suksesi do të jetë i garantuar.

Uroj mësueset dhe mësuesit, ata që nëpërmjet punës së tyre fisnike në përgatitjen e brezit të ri, kontribuojnë drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Urime gjithashtu prindërve në rrugën e përmbushjes nëpërmjet shkollimit, të ëndrrave më të mira që ata kanë për fëmijët e tyre.

Ne si Bashki kemi detyrim që të bëjmë maksimumin për ti krijuar kushte sa më të mira fëmijëve tanë dhe kjo përkujdesje fillon në krijimin e ambienteve sa më komode në institucionet parashkollore dhe shkollore. Durrësi këtë vit ka 14 shkolla të reja me standarte evropiane dhe të gjitha të tjerat në funksion të plotë. Ky vit mësimor zhvillohet sërish në kushtet e pandemisë ndaj të zbatojmë me korrektësi rregullat e protokollit shëndetësor për mbrojtjen e shëndetit tuaj, të shokut tuaj e familjes tuaj.

Dua ti siguroj nxënësit, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë të Durrësit.