Rreth 300 pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës i janë bashkuar sot protestës dy orëshe të thirrur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë.

Në të 5 fakultetet e UAMD-së, pedagogët nuk kanë zhvilluar mësim në ditën e parë të vitit akademik, por vetëm kanë orientuar studentët e viteve të para lidhur me programet mësimore dhe oraret.  

Protesta e sotme e pedagogëve pason 3 protestat e mëparshmetë zhvilluara në Tiranë nga SPUSH.

Pedagogët e UAMD-së mbështesin kërkesat e parashtruara nga sindikata, të cilat ende nuk janë plotësuar nga qeveria.

Ata janë shprehur të vendosur se do t’i qëndrojnë deri në fund kërkesave të tyre për cilësi më të lartë të arsimit dhe se janë të vendosur të bojkotojnë mësimin edhe në ditët e ardhshme.

KËRKESAT E PEDAGOGEVE:

Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës

Rritja e financimit për kërkimin shkencor Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’

Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë

Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare

Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mos diferencimit të orës mësimore të leksionit.

Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare

Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.

Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.