Nga Dritan Hila

Jemi përpara një rezultati zgjedhor që është prodhuar vetëm në rastet kur vendi është çliruar nga një makth i ngjashëm me pushtimin dhe ka qenë në buzë të humnerës. Është nga ato vota, që shqiptarët e kanë dhënë masivisht kundër atyre që i kanë qeverisur, në mënyrë që të mos krijohen iluzione për karakterin e votës së tyre. Ka ndodhur në vitin 1992 kur larguan komunizmin; në vitin 1997 kur largonin njeriun që i çoi në prag lufte civile; dhe sot, në vitin 2013, kur të fundit në Europë, po lënë pas tranzicionin e stërzgjatur, për të larguar me sa duket përfundimisht, njeriun që në njëzet e tre vjet qeverisje iu ka diktuar jetën. 

Lajmi i rëndësishëm është se Sali Berisha po largohet. Të dyja herët që ka qenë në pushtet, provoi se qeverisjet e tija ishin katastrofë. Për fat, mosha e tij, nuk do t’i lejojë amnezisë legjendare të shqiptarëve që ta rikthejë në pushtet. Do të vendoset në muzeun e historisë, me siguri jo në vitrinën e nderit. Ai që përçau shqiptarët, që zgjidhjen e konflikteve e bënte duke ngjizur të reja, që luante pamëshirshëm me instinktet më të ulëta, që ngjallte ambiciet më të zeza, që promovonte njerëzit e deformuar dhe me mbështetjen e tyre qeveriste, që shfrytëzonte dobësitë për t’i përdorur, tashmë nuk do jetë më dhe nuk rrezikon të rikthehet. 

Forcës që udhëhiqte, Partisë Demokratike, do t’i duhet të mjekojë plagët. E djathta shqiptare, duhet të përgatitet për opozitë, ku detyrë primare ka modernizimin e vetes. Në tetë vjet qeverisje, katër të fundit ishin një lëngim që iu shkaktuan shqiptarëve, për të cilën duhet të kërkojë falje. Demokratët nuk kanë asnjë justifikim pse iu bënë peshqesh shqiptarëve për çerekshekulli Sali Berishën. 

Në krahun tjetër, është një koalicion i cili duhet të lexojë me kujdes dhe modesti fitoren. Përmbysje të tilla, para së gjithash vijnë për shkak të mbingopjes nga një qeverisje, apo neveritjes prej saj, dhe jo prej programeve ose shpresës që ngjallin të ardhurit rishtas. Shqiptarët janë neveritur prej Sali Berishës dhe keqadministrimit të tij. Ajo që është e sigurt, ka lidhje me faktin se vota pro opozitës, është para së gjithash nga neveritja prej sistemit klientelist të Berishës, dhe aspak leje për ta riparë këtë sistem të mishëruar rishtas me ngjyra të tjera. 

Shqiptarët presin që dyshja Rama – Meta, t’iu tregojë se janë diçka ndryshe nga vitet e fillimshekullit kur qeverisnin herë bashkë e herë veçmas, pa iu kursyer shqiptarëve lojëra boshe pushteti. Presin që të tregojnë se tetë vjet qeverisje të Sali Berishës, të paktën shërbyen për pjekjen e tyre politike, dhe do të dinë të jenë të përgjegjshëm. 

Dyshja e majtë që do të qeverisë vendin vitet që vijnë, rrënjët i kanë në vitin e trazuar ‘90-të. Janë pjesëmarrës aktivë të ngjarjeve të kohës, rrjedhimisht kanë gjithë virtytet dhe veset e saj. Historia ka treguar se nëse virtyti zbehet, vesi nuk harrohet. Shembulli më i fundit, është Sali Berisha. U prit dy herë nga shqiptarët si shpëtimtari i tyre, dhe është larguar po dy herë si makth i keq. Dy fëmijët e përkëdhelur të së majtës kanë gjithë shanset mos t’i zhgënjejnë të qeverisurit e tyre. Kanë gabuar herën e parë. Shpresojmë të mos ketë një herë të dytë. Duke i kursyer vetes një vend në krah të Berishës në muzeumin e historisë shqiptare, në vitrinën aspak me nder të tranzicionit. 

Nga data 24 qershor, shqiptarët kanë një shans të bëhen europianë me titull të plotë. E kanë bërë detyrën e tyre, ashtu si gjithmonë. Po presim që të rinjtë e ardhur në fuqi, do të dinë të ngrenë një shtet me fytyrë njerëzore dhe në shërbim të shtetasve, administratë profesionale dhe të karrierës, drejtësi të pavarur dhe të nisin çmontimin e pushtetit okult të Berishës, që fillon nga shërbimet sekrete, policia, ushtria, prokuroria, gjykatat, presidenca, e deri në qelizat kapilare të shoqërisë sonë. Deberishizmi i jetës së vendit, duhet të fillojë jo vetëm me veprime administrative, por edhe me një sjellje dhe qasje ndryshe të së majtës ndaj pushtetit. Duke dëshmuar se di të jetë në nivelin e shtetasve të saj, dhe politika një art në shërbim të njerëzve.

/BW/