Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato i ka bërë thirrje rinisë shqiptare të mobilizohen dhe të veproj, në mënyrë që Europa të vijë Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Rrugët e Rinisë 2030”, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, Gonzato u shpreh se rina nuk duhet të ndjekë shembullin e atyre të rinjve, të cilët janë larguar nga Shqipëria për të shkuar në Europë.
Ai tha se për t’i dhënë fund korrupsionit, mos-ndëshkueshmërisë dhe për të luftuar krimin e organizuar, të rinjët duhet të veprojnë.
Në fund, Gonzato tha se Europa është një mundësi unike që gjërat të ndryshohen në Shqipëri, për një Shqipëri më të mirë.
“Sot Shqipëria e ka një zgjedhje. A dëshironi ju t’ju vijë Europa këtu në Shqipëri apo dëshironi të ndiqni shembullin e atyre te rinjve të tjerë të cilët janë larguar nga Shqipëria për të shkuar në Europë?
Procesi i anëtarësimit në BE, nuk është një proces teknik, është një proces politik.
Është një mundësi unike që gjërat të ndryshohen në Shqipëri, për një Shqipëri më të mirë.
Dhe kjo është thirrja ime për ju në mënyrë, që këto reforma të sjellin rezultate konkrete, që reforma të ndryshojë mendësinë, mënyrën se si njerëzit mendojnë.
Për t’i dhënë fund korrupsionit, për t’i dhënë fund mos-ndëshkueshmërisë dhe për të luftuar krimin e organizuar.
Për të sjellë begati edhe barazi për të gjithë, për të arritur një shoqëri gjithëpërfshirëse kur të gjithë kanë qasje si në arsim ashtu edhe në shëndetësi.
Në mënyrë që të ndodhin të gjithë këto duhet të përshpejtohen punët.
Ju duhet të mobilizoheni dhe të veproni. Përndryshe nuk do të ndodhin”, tha ai.





