Ditën e sotme në Shkollën e Mesme Teknologjike “Hysen Çela”, deputeti i Durrësit, Arkend Balla, bashkë me mësuesit dhe nxënësit, mori pjesë në një aktivitet të mbjelljes së pemëve për të shënuar Ditën e Tokës. Kjo nismë synon të sensibilizojë komunitetin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe të promovojë një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë.
I lumtur nga pjesëmarrja dhe kontributi i të rinjve, deputeti Balla theksoi se çdo pemë e mbjellë sot është jo vetëm një gjest simbolik, por edhe një premtim konkret për një mjedis më të pastër për brezat e ardhshëm.
“Çdo filiz që vendosëm sot në tokë përfaqëson një angazhim për një mjedis më të gjelbër dhe një qytet më të shëndetshëm për fëmijët tanë,” u shpreh Balla.
Ngjarja u mbyll me thirrjen e Ballës për qytetarët që t’i bashkohen nismave të tilla dhe të kontribuojnë aktivisht në mbrojtjen e mjedisit.