Ndalimi i qarkullimit të automjeteve sot është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, nga mesnata e së dielës, deri në orën 8 të mëngjesit të së hënës, kush ka lëvizur jashtë qytetit, ka kohë këtë fashë 8 orarëshe për t’u kthyer në vendin ku banon.

Nga e hëna e gjithë Shqipëria do të jetë në ‘karantinë’, në një shtetrrethim me forca policore e të ushtrisë në terren që do të kontrollojnë çdo person që mund të dalë mbi këtë urdhër duke marrë edhe penalizimet përkatëse. Me identifikimin e të prekurve të parë me COVID-19, qeveria shqiptare mori një sërë masash drastike, për ta frenuar në kohë koronavirusin.

Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë janë mbyllur lokalet, restorantet, palestrat, fast food-et, e shumë biznese krejt të panevojshme për qytetarët në këto momente të vështira që po kalon vendi. Të vetmet që qëndrojnë hapur janë supermarketet dhe farmacitë.

Qarkullimi është i ndaluar në qytet dhe në akset kryesore që lidhin vendin. Të gjithë personat që janë në punë në sektorin publik dhe atë privat do të mund të lëvzin vetëm në mëngjes deri në orën 08:00 dhe pasdite në orën 16:00 deri në 17:00 kur mbyllin punën. Kush kapet në shkelje u hiqet patenta për 3 vjet si dhe i sekuestrohet makina.

Po ashtu, sot u bllokuan kufijtë me Greqinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Koosovë, ndërsa më herët janë pezulluar fluturimet dhe lundrimet me Italinë.