Sllovakia, Letonia dhe anëtarja më e vogël e BE-së, Malta, kanë hapur qendrat e votimit këtë mëngjes pwr zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Këtë të shtunë fillon edhe votimi vendimtar i Italisë, me kryeministren Giorgia Meloni dhe partinë e saj të krahut të djathtë Vëllezërit e Italisë që shpresojnë të forcojnë pozicionin e tyre në Bruksel, pasi kryeministrja Giorgia Meloni shpreson se rezultati do të forcojë kontrollin e saj në politikën italiane.
Ajo madje u ka kërkuar votuesve që të “shkruajnë Giorgia” në fletën e tyre të votimit. Irlanda mbylli votimin e saj në orën 22:00 mbrëmjen e së premtes ndërsa çekët fillojnë sot ditën e dytë të votimit. Gazetari i News24, Klevis Muka pohoi në një lidhje live nga Brukseli, se nesër mbyllen votimet.
Në Irlandë, partia opozitare, Sinn Fein synon t’i shfrytëzojë këto zgjedhje për të rritur mbështetjen para zgjedhjeve kombëtare që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm. Publiku në këtë shtet është i shqetësuar për rritjen e numrit të azilkërkuesve, ndaj edhe është rritur numri i kandidatëve të pavarur që kanë dalë me premtimet për politika më të ashpra të imigrimit. Irlanda i ka 14 vende në Parlamentin Evropian. Ndërsa Republika Ceke ka 21 vende në Parlamentin Evropian. Partia opozitare ANO, pritet t’iu afrohet shifrave të partive që janë aktualisht në pushtet, sipas agjencisë çeke të sondazheve, STEM.
Më shumë se 350 milionë votues me të drejtë vote në 27 vende të BE-së po shkojnë drejt qendrave të votimit për të zgjedhur Parlamentin e ardhshëm Evropian nga data 6 deri më 9 qershor. Qendra e Sondazheve të Euronews parashikon se partitë e ekstremit të djathtë në të gjithë kontinentin janë drejt rrugës së arritjeve historike. Zgjedhjet do të vlerësojnë “temperaturën” politike në 27 shtetet anëtare për çështje thelbësore si ndryshimi i klimës dhe e ardhmja e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, rimëkëmbja ekonomike pas COVID-19, migrimi dhe roli i BE-së në skenën globale.
Kjo, gjithashtu, është herë e parë që mbahen këto zgjedhje pa Britaninë e Madhe, e cila është larguar zyrtarisht prej BE-së më 2020. Holanda ishte shteti i parë që nisi votimet të enjten, ndërsa të shtunën, procesi nis edhe në Itali, Letoni, Maltë, Sllovaki dhe Itali. Pjesa tjetër e shteteve do të votojnë të dielën.