30-vjeçari Nikolla Bici nga Durrësi ka sfiduar temperaturat e ftohta të këtij fillim janari duke u hedhur në ujërat e Adriatikut dhe ka kapur kryqin e hedhur në ujë.

Dita e Ujit të Bekuar ka mbledhur besimtarët ortodoksë, të cilët kanë përjetuar çastet emocionuese të hedhjes së kryqit në ujë.

Të shumtë kanë qenë besimtarët ortodoksë që kanë falur meshën e mëngjesit në kishën e Shën Pavlit dhe Shën Astit në Durrës e më pas kanë mbushur ujin e bekuar, i cili do të qëndrojë për një vit në shtëpitë e tyre.

Pas kësaj besimtarët u nisën me kryqin në dorë për në portin e Durrësit ku kryhet edhe hedhja simbolike e tij. Ceremonia u krye në breg të kalatës nr.5 ku ujërat janë të thella, ndërsa temperatura e ujit regjistronte 2 gradë celcius. Tre persona në Durrës janë hedhur në ujin e detit për të pritur kryqin.

Dita e 6 janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar”përcillet çdo vit në qytetin e Durrësit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë.

E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsak është një prej kremteve më të mëdha të kishës. Për ta kjo festë është shprehja e faktit më qendror të vizionit të krishterë për njeriun si dhe për jetën e botën e tij.

Shenjtërimi i ujit vërtetohet sot nga të krishterët, të cilët në çdo 6 janar mbushin ujë të bekuar, i cili qëndron i freskët deri në 6 janarin e vitit tjetër.

K.H.