6 janari është një ditë e shënuar për besimtarët ortodoksë pasi festohet dita e Ujit të Bekuar që përkon me Pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan dhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar.

Pjesë e ritualit fetar është edhe kredhja në ujërat e ftohta duke sfiduar temperaturën e ulët të dimrit për të kapur kryqin. Por ndryshe nga vitet e tjera, sot në Durrës nuk është zhvilluar ky ritual për shkak të kushteve që ndodhet vendi prej pandemisë së Covid-19. 

Kisha Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti” njoftoi vetëm për zhvillimin e meshës ndërsa u anulua ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë, e cila është traditë të organizohet pranë portit të Durrësit.

Besimtarët në këtë ditë të shënuar ndezën qirinj si dhe mbushën ujin e bekuar të cilin e ruajnë për një vit në shtëpitë e tyre dhe konsiderohet mbarësi.