Administrata Publike, përveç ditës së nesërme që është pushim zyrtar, do të jetë pushim dhe të premten. Vendimi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, thuhet se dita e punës së të premtes do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit të 6-mujorit të parë.

Postimi i Ramës:

Me këtë vendim të Këshillit të Ministrave u japim mundësi të gjithë punonjësve të shtetit që nuk janë pjesë e funksioneve kritike, të marrin një ditë më shumë pushim mes Ditës së bukur të Verës dhe fundjavës që gjithësesi e kanë pushim! Gëzuar Ditën e Verës

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

VENDIM PËR CAKTIMIN E DITËS SË PREMTE, DATË 15.3.2024, DITË PUSHIMI

Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Caktimin e ditës së premte, datë 15.3.2024, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
Dita e punës, e datës 15.3.2024, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA