14 marsi apo siç njihet ndryshe Dita e Verës solli sot në Durrës një atmosferë festive, sidomos në sheshin qendror të qytetit.

Vogëlushët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe ata të shkollës artistike “jan Kukuzeli” dhanë përgjatë gjithë paradites koncerte festive, të cilat u ndoqën nga shumë të pranishëm.

Me rastin e Ditës së Verës, në shesh ishte vendosur dekori shumëngjyrësh, ku shumë nga qytetarët nxitonin të shkrepnin foto. Si në çdo festë, fëmijët janë ata që i gëzohen më shumë atmosferës.

Megjithëse një festë jo tradicionale për qytetin e Durrësit, shumë nga qytetarët e shfrytëzojnë për të bërë shëtitjet e përditshme.

Festimeve të Ditës së Verës i janë bashkuar jo vetëm vendasit, por edhe të huajt që jetojnë në qytetin bregdetar.

“Sot është ditë pushimi, është Dita e Verës. Jam këtu me bashkëshorten dhe dy fëmijët që studiojnë në një kolegj dhe po e shijojmë këtë ditë. Është shumë bukur, muzikë e mirë, shumë atmosferë, fëmijët janë të lumtur dhe koha është shumë e mirë.”,- thotë për “DurrësLajm” një shtetas rus.

Temperaturat e ngrohta dhe moti i mirë i kësaj fillim pranvere kanë shpërthyer lulet kudo nëpër qytet. Në këtë ditë vere, mund të thuhet me plot gojën pranvera ka zbritur në qytet me gjithë sharmin e saj.

M.B.