Një diell pranveror, verore, ballokume, atmosferë festive e plot ngjyra si dhe tinguj ritmikë.
Dita e verës në Durrës i përmblidhet sot të gjitha këto.
Sheshi “Liria” ishte mbushur plot njerëz që i gëzoheshin koncertit festiv dhe panairit me punime artizane, ku produkti më i shitur pa diskutim që ishin veroret, që bashkë me ballokumet janë simboli i kësaj feste.
Si në çdo festë, vogëlushët janë ata që e shijojnë më shumë dhe mbartin kujtimet më të bukura prej saj.
Dita e Verës, e konsideruar ndryshe si dita e largimit të dimrit, ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Në Durrës, ajo ka nisur të festohet masivisht vetëm vitet e fundit dhe nisur edhe nga moti i mirë i këtij mes marsi, pjesa më e madhe e qytetarëve preferuan ta kalonin atë në ambiente të hapura.
M.B.





