Shqiptarët janë gjithnjë të prirur të festojnë, edhe në rastet kur nuk bëhet fjalë për festa tradicionale. Dita e verës, një festë e kremtuar gjithnjë në Elbasan, vitet e fundit (që pas shpalljes së saj festë zyrtare) ka nisur të kremtohet në të gjithë vendin, ose më mirë shërben si nxitës për shqiptarët për të kaluar disi ndryshe një ditë pushimi. Edhe durrsakët nuk bënë përjashtim nga ky rregull. Megjithëse nuk e kanë festuar vite më parë ditën e verës, për më tepër në formën që ajo kremtohet në Elbasan, përfituan nga koha e mirë për të mbushur shëtitoren “Taulantia” dhe lokalet e restorantet e plazhit deri në Golem.
Rruga e plazhit, këtë të mërkurë pati një trafik më të rënduar se në ditë të zakonshme, ndërkohë që dhe patrullat e policisë rrugore ishin më të shumta në numër për të parandaluar aksidente të mundshme. Xhirot filluan që në orët e para të mëngjesit, pasi koha e ngrohtë dhe dielli pranveror duket sikur i ftonin njerëzit të bënin më së pari një shëtitje buzë detit. Dimri i gjatë i këtij viti, i mbylli për shumë kohë brenda njerëzit, prandaj ditët me kohë të mirë shfrytëzohen tashmë në maksimum.
Nuk mungonin dhe ata që kishin zgjedhur të luanin futboll apo lojëra me dorë, pasi deri në vendosjen e shezlloneve plazhi i Durrësit të jep mundësi të argëtohesh më së miri në praninë e miqve e shoqërisë. Në të njëjtën kohë, mimozat, lulet e para që lajmërojnë ardhjen e stinës së pranverës, i shihje kudo, pasi shumë shitës ambulantë e kanë parë si mënyrë fitimi tregtimin e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ballokumet, ëmbëlsirën karakteristike të kësaj dite.
Ballokumet e famshme të Elbasanit tregtoheshin si nga shitësit ambulantë, ashtu dhe në mjaft markete apo dyqane ëmbëlsirash të qytetit. Prania e tyre, ishte ndoshta e vetmja shenjë që të kujtonte se dhe në Durrës po festohej dita e verës. Aty nga dreka, rrugët dytësore dhe parkingjet e lokaleve ishin të mbushura plot, ndërkohë që gatimet e detit përbënin menunë kryesore nëpër tavolina. Dhe ashtu si çdo herë tjetër nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, vizitorët nga Tirana përbënin gjysmën e njerëzve që kishin bujtur atë ditë në plazhin e Durrësit.
Duket se ata në vend që të zgjidhnin të ndiqnin festimet e organizuara nga Bashkia e kryeqytetit, kishin preferuar një mënyrë disi më private për të festuar këtë ditë. Familjet, por dhe shumë të rinj të organizuar me shoqërinë e tyre u stacionuan nëpër restorante për të shijuar produktet e detit.
Festimet në Shëtitore
Pak a shumë e njëjta atmosferë shihej edhe në Shëtitoren “Taulantia”, me përjashtimin e vetëm se këtu krahas xhiros së zakonshme, qytetarët mund të admironin tentativën e disa të rinjve për të organizuar “Karnavalet e qytetit”. Por si gjithmonë kur mungon organizimi edhe kjo tentativë qe mjaft e zbehtë, për të ofruar për durrsakët një mënyrë disi ndryshe për të kaluar një festë zyrtare.
Si gjithnjë më të fituarit janë fëmijët, të cilët të paktën kënaqen duke provuar lojrat e ndryshme që i ofrojnë prej kohësh subjektet private të vendosura përgjatë shëtitores. Bashkia e qytetit, edhe në këtë rast nuk kishte ndërmarrë asnjë masë për të organizuar aktivitete të ndryshme kulturore, të cilat do të thyenin monotoninë e përhershme të xhiros së zakonshme, një kafeje në lokal dhe pastaj kthimit në shtëpi. Ashtu si natën e Vitit të Ri, kur durrsakët u privuan nga koncerti i përvitshëm në shesh, edhe në këtë fillim pranvere, aktivitetet që duhet të mbajnë vulën e pushtetit lokal vazhdojnë të mungojnë.
Tentativa për të organizuar “karnavalet”, që Durrësi asnjëherë nuk i ka pasur traditë ishte një sipërmarrje e dështuar, për më tepër që gjithçka i lihet rastësisë dhe spontaneitetit dhe nuk ekzistojnë projekte konkrete për të organizuar për qytetarët aktivitete të larmishme kulturore. Një qendër zëri dhe disa tezga që tregtonin maska karnavalesh ishin shumë pak për argëtimin e qytetarëve durrsakë, të cilët si gjithnjë preferuan ta festojnë edhe këtë ditë pushimi në mënyrë private. Edhe nëse pushteti lokal do të justifikohet me refrenin tashmë të konsumuar të “moskonstituimit të këshillit të kulturës”, kjo nuk duket se përbën më një justifikimin.
Është për të ardhur keq që kur po mbushet gati një vit nga zgjedhjet e fundit lokale, këshilli i kulturës vazhdon të mbahet peng i këshilltarëve bashkiakë. Të mos harrojmë se edhe muaji mars po kalon dhe Durrësi po i afrohet stinës së verës, kur pritet të përballet me fluksin e pushuesve. Çdo sezon i viteve të fundit ka regjistruar një numër më të vogël pushuesit krahasuar me atë paraardhës dhe për këtë ndikojnë një sërë faktorësh. Duke mos dashur të ndalem tek problemet infrastrukturore që përbëjnë “thembrën e Akilit” për plazhistët që popullojnë plazhet e qytetit tonë, aktivitetet kulturore që programohen për të argëtuar pushuesit janë thuajse zero.
Përveç lokaleve me muzikë live, “zhurma” e të cilëve oshëtin nga ora 20.00 deri në 24.00, asnjë veprimtari tjetër kulturore nuk ofrohet për pushuesit. Është për të ardhur keq që një qytet si Durrësi, me resurse të shumta për zhvillimin e turizmit kulturor në çdo stinë të vitit ofron kaq zgjedhje të kufizuara për qytetarët dhe turistët e tij. Një xhiro në breg të detit dhe një drekë apo darkë në një restorant janë mënyra mjaft të varfëra argëtimi për një qytet që ka një traditë të hershme kulturore.
Indiferentizmi me të cilat pushteti lokal pret dhe përcjell festat e ndryshme duke mos angazhuar aspak administratën e tij për të hartuar projekte konkrete për gjallërimin e jetës kulturore si dhe për hapjen e një kinemaje, një mungesë e pajustifikueshme kjo për Durrësin e vitit 2012.
Dita e Verës
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë, e cila tradicionalisht është festuar në qytetin e Elbasanit. Ajo është një festë pagane, që e ka origjinënnë kohën kur njerëzit i faleshin perëndive. Tempulli ka qenë në zonën e Çermenikas, në afërsi të Librazhdit të sotëm. Në kalendarin e vjetër, njerëzia orientohej sipas diellit, hënës dhe gjelbërimit. Ndërsa sot është fiksuar 14 marsi, ditë e festës së lashtë, që shënon ndryshe fundin e dimrit të acartë dhe hyrjen e pranverës dhe çeljes së luleve. Në kohët antike, të parët tanë, Ilirët, udhëtonin nga të katër anët për t'ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis. Dita e Verës është festë e të gjithëve, e të pasurve dhe të varfërve, është festë mbarëpopullore ku të gjithë gëzojnë. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë. Ndërkohë të rinjtë dalin për te mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnë vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Vezët rroken mes të rinjve me fitimas (që do të thotë se ai që ka vezën me të fortë ja fiton dhe ja merr atij që i thyhet). Ndërsa shkrimtari Faik Konicae shpjegoi në këtë mënyrë shpirtin e Ditës së Verës: "Dita e Verës është dita ne te cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur Krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekërit e vjetër perënditë e luleve, të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi te ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyrë, t’u faleshin perëndive që sillnin këto miresira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës…" Sipas shkrimtarit, kjo është një festë e vjetër e racës sonë. "Nuk i bëjnë dëm njeriu, sjellin gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rast të rrallë për t'u dëfryer. Për më të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, të hollë e të rrallë…", shkruan Konica.