Dita e Verës, ka bërë bashkë fondacionin “Zëri i mjerimit” dhe shoqatën “Jetimët në fokus” në Durrës, të cilat sot kanë zgjedhur të shtrojnë drekën e 14 Marsit për 50 fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria.

Nën kujdesin e kreut të fondacionit “Zëri i mjerimit”, Ermal Suti dhe anëtarit të shoqatës “Jetimët në fokus”, Eneo Cenko si dhe kryetarit të njësisë administative nr. 6 në Durrës, Serjan Mazrreku, djem e vajza nga qytete të ndryshme, festuan sot ashtu siç e do tradita e Ditës së Verës.

Me qëllim argëtimin dhe gëzimin e të vegjëlve me të cilët jeta nuk është treguar bujare që në lindje të tyre, organizatorët e drekës së bamirësisë shpërndanë edhe dhurata për jetimët.

Sigurisht që në një ditë të tillë nuk mund të mungonin elementet tipike të festës, si veza e ngjyrosur, verorja, embëlsira simbol, ballokumja apo rituali i kapërcimit të zjarrit, që fëmijët të bëhen më të fortë përballë sfidave të jetës.

Në fund, shoqata “Jetimët në fokus” vlerësoi me certifikatë organizatorët Ermal Suti dhe Serjan Mazrreku për kontributin e dhënë dhe mbështetjen e pakursyer të shtresave në nevojë.

G.D.