Presidenti Ilir Meta ishte i pranishëm sot në ceremoninë e organizuar në Ditën Kombëtare të Greqisë. Përmes një postimi në “Facebook”, ai ndan edhe përshtypjet e tij, shoqëruar me një mesazh për dy kombet.

Kreu i Shtetit shkruan se shqiptarët meritojnë të jetojnë gjithmonë në harmoni dhe begati.

“I lumtur të merrja pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Greqisë. Në këtë ditë feste e gëzimi të fqinjëve tanë uroj që edhe bashkëpunimi e partneriteti ynë të udhëhiqen nga trashëgimia më pozitive dhe e ardhmja e përbashkët e dy popujve tanë në një rajon më të begatë të Europës së Bashkuar. Minoriteti grek dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ura shumë të forta lidhëse në marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale, por edhe mjaft premtuese mes dy popujve tanë. Shqiptarët dhe grekët meritojnë të jetojnë gjithmonë në bashkëpunim, harmoni e begati. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-greke!”– shkruan Meta.