Porti i Durrësit hapi paraditen e kësaj të enjte dyert në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Detarisë 2025, me sloganin “SEA THE FUTURE – të shohim të ardhmen përmes detit”.
Qëllimi i kësaj dite është të sjellë në vëmendje rëndësinë e sektorit detar si një motor i zhvillimit ekonomik, por edhe si një fushë që ofron mundësi të reja punësimi, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Ky aktivitet bashkon profesionistë, institucione, akademikë dhe të rinj për të ndarë ide, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e së ardhmes duke krijuar ura bashkëpunimi, si dhe për të frymëzuar gjeneratën e re që të zgjedhë detarinë si një rrugë karriere. Përmes paneleve, prezantimeve mbi teknologjitë e reja, ekspozitës kulturore dhe shpalljes së programeve të praktikës për studentët dhe të rinjtë që duan të bëhen pjesë e kësaj industrie, synojmë që ky aktivitet të sjellë në vëmendje rëndësinë që detaria ka si motor i zhvillimit ekonomik, teknologjik dhe social, por edhe si një fushë me perspektivë punësimi, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Deti, që ka qenë gjithmonë pjesë e historisë sonë, sot është më shumë se kurrë pjesë e së ardhmes.”, tha Serena Kovaçi, Drejtore e Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare.
Porti i Durrësit vitet e fundit po i nënshtrohet investimeve të rëndësishme, të cilat konsistojnë në ndërtimin e Portit të ri Tregtar në Porto Romano dhe të Marinës Turistike.
Lidhur me vizionin e zhvillimit të kompleksit portual të Durrësit foli drejtori i Autoritetit Portual, Kreshnik Bajraktari.
“Ky vizion merr jetë përmes dy projekteve madhore që do të shënojnë një epokë të re për portin dhe detarinë shqiptare: Porti i ri tregtar i Integruar në Porto Romano, i cili do të kthehet në një nyje logjistike me rëndësi të veçantë për rajonin; Projekti i Marinës së Jahteve, i cili me progresin e deritanishëm premton transformimin e plotë të bregdetit dhe ballinës ujore të Durrësit turistik.
Këto investime nuk janë thjesht projekte infrastrukturore, por themele të së ardhmes së detarisë shqiptare. Ato do të transformojnë rrënjësisht infrastrukturën portuale, duke e bërë Portin e Durrësit dhe Porto Romanon më konkurrues, më të qëndrueshëm dhe më të integruar me zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, duke u kthyer në një pikë referimi për të ardhmen e detarisë shqiptare.”, deklaroi për mediat kreu i APD, Kreshnik Bajraktari.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e terminalit të trageteve, të pranishmit patën mundësi të ndjekin panele diskutimi dhe prezantime mbi projektet strategjike të zhvillimit të portit.





