Një ekspozitë e veçantë tematike u hap sot, në ditën ndërkombëtare të poezisë, në Bibliotekën Publike të Durrësit.

Ekspozita “Udhëtim nëpër vargje: 15 vjet poezi” mblodhi në ambientet e Bibliotekës me dhjetëra nxënës shkollash të mesme dhe 9-vjeçare, të cilët patën mundësi të njihen nga afër me 345 tituj librash të poezisë shqiptare dhe asaj botërore të botuara në 15 vitet e fundit.

Shumë prej vëllimeve poetike pjesë e ekspozitës janë fryt i krijimtarisë artistike të autorëve durrsakë, të cilët kanë dhuruar shumë nga veprat e tyre për të pasuruar fondin e bibliotekës publike të qytetit.

Për drejtoreshën e këtij institucioni, Mirela Ylli, kjo ekspozitë është një mundësi mjaft e mirë për nxënësit e shkollave dhe të rinjtë e qytetit për t’u prezantuar me fondin e vyer të vëllimeve poetike, që biblioteka disponon dhe pse jo edhe për të forcuar edhe më shumë lidhjen e tyre me letërsinë, në këto kohë kur teknologjia është kthyer në “armikun” kryesor të librit të printuar.

M.B.