Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, 15 tetorit, shoqata e të verbërve në Durrës ka kërkuar më shumë vëmendje nga qeveria dhe me shumë aksesueshmëri në ambientet publike.
Mungesa e sinjalistikës, semaforëve akustik, sinjalistikës në autobuz, shiritave në trotuaret dhe rrugët e qytetit ua bëjnë jetën më të vështirë këtij komuniteti pasi lëvizja e tyre e lirë bëhet thuajse e pamundur.
Shoqata kombëtare “Shpresë për të verbërit” kreu itenerarin në qytetin bregdetar, ku demostruan vështirësitë që has komuniteti në kalimin e rrugëve dhe ecjen në qytet duke treguar dhe njëherë nevojën akute për sinjalistikë.
“Ne kemi vendosur të marshojmë sot për t’i kërkuar organeve kompetente të na krijojnë mundësi që të lëvizim lirshëm në qytetin tonë. Kërkojmë të na mundësohet vendosja e sinjalistikave në rruget e qytetit, shiritat në trotuare dhe semaforë akustik pasi në kushtet aktuale, lëvizja është e pamundur. Për të na përkrahur sot na janë bashkuar dhe Komiteti i grave të verbra nga Kosova të cilat vijnë që të ngrenë zërin dhe për ne.” u shpreh kreu i Shoqatës Kombëtare “Shpresë për të verbërit”, Saimir Farrici.
Bajramshahe Jetullahu nga komiteti i grave të verbra në Kosovë tha se në disa zona në vendin fqinj, rrugët janë pajisur me semaforë akustikë dhe shirita, ndaj kërkoi që të plotësohen kushtet edhe për komunitetin e të verbërve në Durrës.
“Sot kemi ardhur nga Kosova për të përkrahur komunitetin e të verbërve në Durrës pasi është mjaft e rëndësishme vendosja e sinjalistikave të kërkuara. Do u bëja një kërkesë organeve dhe drejtuesve, mbyllni sytë për pesë minuta dhe shihni sesi është jeta jonë. Në Kosovë në disa zona rrugët janë pajisur me semaforë akustikë dhe shirita, prandaj sot i bashkohemi zërit të komunitetit të verbërve në Durrës në mënyrë që të plotësohen kushtet dhe për ta.”, tha Jetullahu.