Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, pensionistët e Durrësit, ashtu si dhe ata të gjithë Shqipërisë përfituan indeksimin e pensionit në masën 2,5%.

Rritja hyri në fuqi këtë të mërkurë, më 1 tetor. Nga indeksimi në total do të përfitojnë 721,398 pensionistë në të gjithë vendin, por çfarë mendojnë ata për këto para shtesë, që shkojnë maksimumi deri në 500 lekë të reja në muaj?

Të pyetur nga “DurrësLajm”, pensionistët shprehin pakënaqësinë për trajtimin ndaj tyre, për shkak të nivelit të ulët të pensioneve, në një kohë që çmimet e produkteve të shportës kanë njohur rritje të ndjeshme prej kohësh tashmë dhe jetesa për ta është thuajse e pamundur me paratë që marrin në muaj.

“Na dhanë 4 bukë!”,– thotë me trishtimin që i dallohet në zë, njëri nga pensionistët e intervistuar, duke iu referuar indeksimit prej 2.5% që morën “dhuratë” nga qeveria Rama në ditën e shënuar të tyre.

Njëzëri pensionistët pohojnë se falë ndihmës së fëmijëve arrijnë të mbyllin të gjitha shpenzimet e muajit, pasi në të kundërt do të hiqni dorë nga blerja e shumë gjërave, madje dhe… ilaçeve.

M.B.