Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, artefaktet më të rëndësishme të Muzeut Arkeologjik Durrës dolën jashtë mureve të tij për t’u ekspozuar në ambientet e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.
Ekspozita “Muzeu jashtë Muzeut” kishte për qëllim të sillte sa më pranë të rinjve dhe qytetarëve dëshmi nga trashëgimia e pasur kulturore e Durrësit 3000-vjeçar.
“Përmes aktiviteteve tona synojmë të ngrejmë ndërgjegjësimin dhe të ftojmë të rinjtë dhe qytetarët në çështjet e trashëgimisë, që duhet të dalin jashtë përtej kufijve të institucioneve dhe të shqetësojnë të gjithë komunitetin”,– tha specialistja e muzeut Antigoni Gjergji.
Ndikimi i elementëve atmosferike tek trashëgimia kulturore është i ndjeshëm, për këtë arsye specialistja Antigoni Gjergji tha se një rëndësi e veçantë merr ruajtja e tyre jo vetëm përmes fondeve shtetërore, por edhe projekteve të institucioneve ndërkombëtare.
Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Durrësin me më pak monumente të vizitueshme, kjo për shkak të rikonstruksionit të tyre.
“Për momentin kemi të vizitueshëm vetêm Amfiteatrin, Termat Romake dhe Forumin Bizantin”,– tha drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj.
Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëmtime të shumta në trashëgiminë kulturore të Durrësit. Me fondet e programit EU4Culture janë duke u rijetësuar shumë monumente si Torra Veneciane, Hamami turk, Muzeu Arkeologjik, ndërsa të tjera si Muzeu Etnografik qëndrojnë të kyçura prej më shumë se 3 vitesh.
Në fillim të sezonit turistik pritet të hapet Torra Veneciane që po shndërrohet në të vetmen qendër digjitale informacioni për trashëgiminë e pasur kulturore të Durrësit.
M.B.