Në ditën ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar, shoqata e paraplegjikëve Durrës ngre një sërë shqetësimesh, që prej vitesh nuk gjejnë zgjidhje institucionale.
Kryetarja e shoqatës, Adivije Hoxha, bën të ditur se jo më larg se një vit më parë, i janë drejtuar me një peticion qeverisë shqiptare për përmbushjen e kërkesave që këto kategori në nevojë i kanë të domosdoshme për të garantuar një jetesë normale dhe dinjitoze, por deri më tani ato nuk janë marrë parasysh.
“Është krejt absude të trajtohet një kujdestar me një pagë 13 mijë lekë në muaj. Kjo ka qenë ndër pikat kyçe që ne kemi kërkuar në peticion. Probleme të tjera të aftësisë së kufizuar janë aksesueshmëria, pa të cilën nuk ka shërbime për PAK. Kemi nevojë për një krevat ku mos të na krijohen plagë në trup, me dyshekë të posaçëm. Kemi nevojë për një vinç për t’u transportuar nga krevati në karriken me rrota. Gjithashtu kemi nevojë për karrike me rrota, që është element bazik për një person me aftësi të kufizuar”,- tha kryetarja Hoxha.
Punësimi është një sfidë më vete, për këtë shtresë shoqërore. I riu Sadik Sallaku, pavarësisht shkollimit të lartë, është prej kohësh i papunë. Ndërsa shqetësim i përditshëm për kategorinë PAK është lëvizshmëria në qytet, pasi shpesh rampat, edhe aty ku janë, nuk u mundësojnë lëvizje normale në rrugë e trotuare.
Të paaftë shpeshherë për të kryer nevojat më minimale jetësore, këta persona kanë nevojë për kujdestar. Por pagesa mujore e kujdestarisë është në kufirin e absurdit.
Sipas shifrave zyrtare të bashkisë, në vitin 2023, në Durrës janë thuajse 10 mijë persona me aftësi ndryshe, ku 3290 persona janë me aftësi të kufizuar, 796 janë me statusin e të verbërit, 420 persona me statusin e Para e Tetraplegjikëve dhe 5329 invalidë pune.
M.B.