Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, sekretarja për marrëdhëniet me publikun e Degës së Partisë Demokratike në Durrës, Viola Kapidani Kullolli, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si kapje totale të shtetit nga korrupsioni.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se prej 11 vitesh Shqipëria qeveriset nga klientelizmi, afera me PPP, koncesione të dyshuara dhe shpenzime milionëshe pa përgjegjësi, duke e kthyer korrupsionin në metodë qeverisjeje.
Duke u ndalur te Durrësi, Kapidani Kullolli e cilëson qytetin një shembull të shkatërrimit institucional dhe financiar, duke përmendur projekte të papërfunduara dhe investime që nuk i shërbejnë qytetarëve.
Ajo përmend si raste konkrete projektin “Veliera”, i cili sipas saj ka dyfishuar koston dhe ende nuk ka përfunduar, dhënien e Portit të Durrësit investitorëve privatë në kundërshtim me interesin publik, si dhe shpenzimin e rreth 20 milionë eurove për kanalizime që nuk kanë zgjidhur problemin e përmbytjeve.
Postimi i plotë:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Shqipëria gjendet në pikën më të errët të saj institucionale. Korrupsioni nuk është më një plagë — është sistemi. Është metoda e qeverisjes. Është rrjeta që ka kapur shtetin, drejtësinë, ekonominë dhe çdo qelizë të pushtetit.
Prej 11 vitesh, shqiptarët shohin të njëjtin model:
klientelizëm, afera me PPP, koncesione të dyshuara, inceneratorë të zhdukur, miliona euro që avullojnë, tendera që ndahen brenda një rrethi të mbyllur.
Të gjitha të denoncuara publikisht, të gjitha të mbuluara me propagandë, asnjëherë me drejtësi.
Sot nuk mund të hesht. Si qytetare e Durrësit dhe si person e angazhuar politikisht, nuk mund të lë pa përmendur se si qyteti eshtë shkatërruar me projekte beton, premtime boshe dhe abuzime me paratë e taksapaguesve.
Raste konkrete që dëshmojnë grabitjen e hapur:
Projekti “Veliera” — i paraqitur si një “shesh modern” — financimi i tij filloi në mars 2016 me rreth 4.7 milionë euro, por në vazhdim vlera u dyfishua dhe punimet po dalin mbi 8.5 milionë euro. Sot e kësaj dite që flasim “Veliera” nuk ka përfunduar ende.
Mega-afera Porti i Durrësit iu “dhurua” investitorit privat Mohamed Alabbar — në kundërshtim me interesin publik. 
Ky port, pronë publike që për dekada shërbeu për qytetarët dhe ekonominë e vendit, po shndërrohet në kompleks pallatesh dhe marina për turizëm luksi — duke i mohuar Durrësit të drejtën për ta menaxhuar vetë pasurinë e tij.
Një afere tjerer korruptive që i ka kushtuar rreth 20 milionë euro për kanalizime dhe rrjetin e ujërave në zonat Porto Romano / ish-Kënetë / Spitallë. Megjithatë, pasi u ndërtua hidrovorë dhe rrjet, Durrësi përmbytet me cdo shi që bjen.
Kjo nuk është infrastrukturë — është tallje me qytetarët, shpenzim i parave të taksapaguesve për fasadë.
Kjo qeveri ka ngritur një mekanizëm të plotë për të mbrojtur korrupsionin dhe për të heshtur zërat kritikë. Dhe pikërisht sot, më shumë se kurrë, duhet thënë e qartë:
Korrupsioni i qeverisë Rama nuk është më thjesht dëm ekonomik — është rrezik kombëtar.
Është pengesa kryesore për integrimin, për zhvillimin, për shpresën.
Është arsyeja pse rinia ikën, pse biznesi mbyllet, pse qytetari humbet besimin.
Prandaj sot, në këtë ditë simbol reagoj pasi mendoj që Korrupsioni nuk luftohet duke heshtur.
Nuk luftohet duke u mësuar me të.
Nuk luftohet duke pranuar se “kështu është Shqipëria”.
Jo.
Shqipëria mund dhe duhet të jetë ndryshe.





