TIRANE, 22 shtator 2013 -Sot shënohet Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat emetojnë lënë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit. Në këtë kuadër, në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit organizohen aktivitete me nxënës të shkollave, të cilët kanë marrë pjesë në gara të ndryshme me biçikleta. Ditën e sotme në kryeqytet do të ketë edhe një tur çiklistik të nxënësve të shkollave, ndërsa pritet që në fillim të mbajnë fjalën përshëndetëse ministri i mjedisit Lefter Koka, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, si dhe ambasadori i BE në Tiranë Ettore Sequi. 

Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i cili udhëtoi me biçikletë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shpreh për mediat se Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur ndërtimin e 7.3 km rrugë të reja për biçikletat anembanë qytetit. 

“Sot është dita ndërkombëtare pa makina. Edhe në Tiranë ashtu si edhe në qytete të tjera një numër i madh qytetarësh kanë lënë makinat dhe kanë marrë biçikletat. Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 7.3 km rrugë të reja biçiklete anembanë qytetit. Gjithashtu do shtrihet rrjeti i korsive të dedikuara për biçikletat. Këto korsi shtojnë sigurinë për qytetarët gjatë ditës me trafik. Përsëris thirrjen për autoritetet që të gjitha automjetet që zënë korsitë e biçikletave të largohen menjëherë. Siç kemi nisur të shtrojmë rrugët e biçikletave, do të përparojmë në synimin tonë për një qytet të gjelbër dhe të shëndetshëm” tha Basha. Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës po punon për të bërë të mundur që lëvizja e qytetarëve të Tiranës të përafrohet me standartet europiane”. 
“Do të investojmë edhe për 6 impiante për këmbësorët si dhe përmirësimin e 6 kryqëzimeve ku do të zgjerohet rrezja e kthesës”, tha Basha. 
Çdo vit me 22 shtator, njerëzit nga gjithë bota bashkohen në rrugë dhe lagje për t’iu përkujtuar njerëzve se nuk duhet të pranojmë të bëhemi shoqëri e dominuar nga makinat. Për më tepër, në vitin 2007, në më shumë 2000 qytete nga 35 shtete të ndryshme kanë shënuar këtë ditë me qëllim që të kontribuojnë në inkurajimin e qytetarëve të përdorin forma tjera alternative të transportit. 

Reagimi i shoqerise civile

Në ditën për lëvizjen pa biçikleta shoqëria civile ka protestuar për shkak të mungesës së korsive të biçikletave, duke kërkuar më shumë hapësira. Ambientalisti Sazan Guri, i shoqëruar edhe nga dhjetëra të rinj kanë kërkuar nga Bashkia e Tiranës që të merren masa që lëvizja me biçikleta të bëhet e sigurtë si në çdo vend të Evropës.

“Si qytetarë ti kërkojmë kryetari të Bashkisë që të lirojë trotuaret nga tavolinat. Të sigurohen rrugë sipas studimeve të bëra nga inxhinierët. Prandaj si qytetarë civilë i kërkojmë kryebashkiakut që të lirojë trotuaret. Ne kemi dalë këtu për ti kërkuar Bashkisë dhe qeverisë që këta qytetarë meritojnë më shumë rrugë biçikletash.Në këto rrugë ku një shofer mund të të godasë. Ne kërkojmë jo më pak se një qytetar evropian, ku trotuari ndahet për gjysmë mes këmbësorëve. Na lironi trotuaret tanë. Nuk mund të bëhen këto gafa truallin e Tiranës. Nuk mund të udhëtojë biçikleta në një zonë ku mund të përballesh me derën e një makine. Na lironi trotuaret nga tavolinat”, u shpreh Guri.