3 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar.

Me rastin e kësaj dite, shoqata “Shpresë për të verbrit” ka organizuar një tubim sensibilizues para Bashkisë Durrës për t’i treguar pushtetit vendor se janë të vendosur për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre. 

Duke folur për mediat, ata listuan edhe problematikat që i shqetësojnë në përditshmëri për të cilat kanë bërë kërkesa të herëpashershme por ende nuk kanë marrë zgjidhje.

“Disa herë i jemi drejtuar bashkisë për të realizuar projektin që parashikohen në ligjin 80/98 por kemi hasur në vesh të shurdhër. Kemi kërkuar një zyrë për të punuar.”, tha kreu i kësaj shoqate Sajmir Farrici ndërsa solli në vëmendje mungesën e insfrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar në qytet.

“Në të gjithë qytetin e Durrësit, infrastruktura për personat me aftësi të kufizuar është bërë pak ose aspak. Dhe aty ku është bërë, është bërë shkel e shko.”, u shpreh më tej ai.

Adivije Hoxha, kryetare e shoqatës së Para-Tetraplegjikëve në Durrës tha se për këtë kategori nuk mund të ofrohet asnjë lloj shërbimi në shumë institucione të qytetit për shkak të mungesës së aksesueshmërisë.