Me rastin e një vjetorit të hapjes, qendra “Fuqizojmë Komunitetin” organizoi një ditë të hapur me partnerët dhe qytetarët e bashkisë Durrës, që kanë përfituar gjatë kësaj kohe nga shërbimet e saj.
Gjatë një viti, qendra po punon për të ofruar mbështetje dhe shërbime gjithëpërfshirëse për grupet në nevojë.
“Tashmë familjet më vulnerabël dhe grupet në nevojë në qytetin e Durrësit kanë mundësi të gjejnë mbështetje për nevojat e tyre bazike”,– thotë drejtuesja e qendrës, Viola Cikalleshi për “DurrësLajm”.
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” ka ndikuar ndjeshëm në bashkinë Durrës, duke ofruar shërbime dhe programe të specializuara, që plotësojnë nevoja jetike sociale.
“Ne mbështesim gjithashtu jo vetëm individët në nevojë, por edhe fuqizojmë ata së bashku me strukturat si familja apo shoqëria, siç janë programet e fuqizimit “Mentorimi për punësim”, “Aftësitë jetësore”. Këto janë programe ku prindërit mblidhen bashkë dhe diskutojnë për prindërimin pozitiv, aftësoohen për prindërimin pozitiv për të ndërtuar familje të shëndetshme. Grupet që i drejtohen qendrës dhe mbështeten nga qendra janë ata që kanë më shumë nevojë si fëmijët që i përkasin komunitetit rom egjiptian, fëmijët që kanë përjetuar dhunë në familje etj”,- thotë ndër të tjera Cikalleshi.
76 fëmijë me aftësi të kufizuara fizike dhe të shëndetit mendor kanë përfituar shërbime si logopedi, fizioterapi, terapi zhvillimi dhe mbështetje psikologjike. 50 fëmijë nga familje në nevojë kanë marrë pjesë në programet pas shkollës, që synojnë zhvillimin akademik dhe psiko-social.
Rezultatet e shërbimeve kanë qenë mjaft të prekshme, siç na rrëfen gjyshja e një vogëlushi në klasë të katërt, që kishte vështirësi në lexim..
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” ofron edhe shërbim lëvizës duke ju gjendur pranë rreth 100 familjeve.
Angazhimi i të rinjve është pjesë e programeve të qendrës për të ndërtuar një shoqëri aktive, ku 49 nxënës të shkollave të mesme dhe të rinj studentë kanë rritur kapacitetet e tyre përmes Bootkampeve, ndërsa 173 të rinj janë angazhuar në aktivitete informuese, ndërgjegjësuese dhe ngritjes së kapaciteteve.
Nga programet e qendrës për prindërimin pozitiv dhe ndërtimin e familjeve reziliente kanë përfituar tashmë 116 prindër duke u pajisur me aftësi jetësore, duke u orientuar dhe mentoruar drejt fuqizimit ekonomik.
Ky program i zbatuar nga UNDP në partneritet me Qendrën për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” dhe Bashkinë Durrës me mbështetjen e USAID, synon të fuqizojë individët, të mbështesë familjet dhe të ndërtojë një komunitet të fortë.