Ukraina shpalli ditë zie kombëtare për viktimat e sulmit ajror rus në qytetin Kryvyi Rih, ku humbën jetën edhe shumë fëmijë.

Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi ashpër ndaj veprimeve të Moskës, duke thënë se Rusia po tallet me propozimet për paqe.

“Në këtë ditë zie kombëtare, mendimet e mia janë me fëmijët dhe të gjitha viktimat civile të sulmeve vdekjeprurëse të Rusisë”, shkroi Macron në rrjetin X.

Ndërkohë, ambasadat perëndimore në Ukrainë ulën flamujt në gjysmështizë, në shenjë nderimi për jetët e humbura.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sibiha, e cilësoi këtë sulm si përgjigje të Kremlinit ndaj iniciativës së paqes nga SHBA.