DURRES, 9 maj 2013– “Ditët e kulturës austriake” kanë gjallëruar jetën muzikore të qytetit bregdetar të Durrësit. Në kuadrin e “Mozaik 2013” po zhvillohen një varg aktivitetesh kulturore, edukative dhe muzikore të mbështetura nga Ambasada Austriake në vendin tonë. Ky është edicioni i gjashtë i organizimit të “Ditëve të kulturës austriake”, që sjell në Durrës emra të njohur të muzikës austriake jo vetëm për të interpretuar veprat klasike dhe postklasike, por dhe për të qenë pjesë aktive e ëorkshopeve të ndryshme për studentët e Akademisë së Arteve, të diplomuarit dhenxënësit e shkollave të mesme të muzikës në vend. Shkëmbimi kulturor dhe marrja e më të mirës nga profesionistë të muzikës në Austri në favor të studentëve tanë është dhe në këtë edicion një nga synimet e “Mozaikut 2013”. Të ftuarit e veçantë të këtij edicioni janë instrumentistët e "Aron quartett Wien", që dha një koncert me repertor të larmishëm në sallën e liceut artistik „Jan Kukuzeli“.
Pas koncertit, pjesëtarët e kuartetit po japin kontribut edhe në kurset e artit muzikor që po zhvillohen për nxënësit e shkollave të muzikës së Durrësit dhe Shkodrës. Aktiviteti ka në bazë shkëmbimin kulturor në kuadër të procesit të integrimit europian të kulturës shqiptare. Organizatore dhe ideatore e projektit "Mozaik 2013" dhe këtë herë është pianistja Emi Aliçka e mbështetur nga pedagogja Metila Dervishi.
Kuarteti Aron i Vienës
"Aron quartett" u themelua në vitin 1998 nga katër muzikantët vjenezë Ludëig Müller, Barna Kobori, Georg Hamann dhe Christophe Pantillon. Kuarteti i nisi debutimet e para në Vjenë dhe u prit me druartrokitje të forta, si nga publiku, ashtu edhe nga kritika. Që prej atëhere kuarteti ka zhvilluar një repertor të gjerë, duke bashkëpunuar dhe me artistë të tjerë. Sipas antarëve të kuartetit, qëllimi i tij nuk ka qenë vetëm të luajë repertor klasik, po gjithashtu t’i kushtohej në vetvete edhe veprave të shkollës së dytë klasike vieneze. Artistët kanë një veprimtari mjaft të ngjeshur koncertale në Europë, SHBA, Meksikë e Japoni dhe është pjesëmarrës në festivalet e njohura, si Viennese Festival Weeks, International String Quartet Festival, Pragë, Biennale di Venezia, Schoenberg Festival, “Klangbogen” Festival, Cervantino Festival, Kuhmo Festival, Stresa Festival, Enescu Festival, Berlin, Carinthischer Sommer etj. Në vitin 2008, “Aron Quartett” themeloi “Laudon Castle Chamber Music Festival”.
/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





