Ndërsa në Florida zhvillohen bisedimet kyçe mes SHBA-së dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës, presidenti Volodymyr Zelensky zhvilloi komunikime të ndara me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Zelensky theksoi se ditët e ardhshme do të jenë “vendimtare” dhe falënderoi NATO-n dhe BE-në për mbështetjen e pandërprerë ndaj rezistencës së Ukrainës përballë sulmeve ruse.
Në telefonatën me Rutte, ai u shpreh se “shumë gjëra mund të ndryshojnë” në ditët që vijnë dhe se bashkëpunimi i ngushtë me Aleancën “do të rezultojë jashtëzakonisht efektiv”.
Paralelisht, Zelensky njoftoi se ka biseduar edhe me presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, duke e falënderuar për mbështetjen e qëndrueshme. “Ursula i kushton vëmendje të posaçme forcimit të qëndrueshmërisë sonë ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse kundër infrastrukturës dhe sistemit tonë energjetik,” shkroi ai në platformën X.
Lufta pothuajse katërvjeçare ka hyrë në një fazë të re kritike, teksa Kievi dhe Moska shqyrtojnë planin amerikan të paqes që po shtyn administrata e presidentit Donald Trump.





