Ditmir Bushati, i cili u shkarkua nga posti i Ministrit të Jashtëm ka bërë bilancin e vitit 2018. Sipas tij, Viti i Ri është një moment reflektimi dhe vlerësimi përsa është arritur në këto vite.

Postimi i Ditmir Bushatit:

Fundviti është moment reflektimi dhe vlerësimi për sa kemi arritur,  por dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë në vijim. Po lëmë pas një vit me  sfida në reformat shtetkonsoliduese. Këto reforma, si çdo ndryshim  rrënjësor e transformues kanë hasur në rezistencë e dyshim, por  këmbëngulja dhe vullneti i shoqërisë sonë për të ecur përpara mbetet i  palëkundur.

 Për shkak të këtij vullneti,  institucionet zbatuese  të reformës në drejtësi nisën punën e tyre; procesi voluminoz i analizës  së përputhshmërisë së legjislacionit  tonë me atë evropian (screening) dita-ditës po nxjerr në pah nevojën për  një reformim molekular të mënyrës së funksionimit të institucioneve dhe  jetës publike, teksa na përgatit për fillimin e bisedimeve për  anëtarësim me BE në 2019.

Viti 2018 e konsolidoi kontributin e Shqipërisë për paqen dhe sigurinë  jo vetëm në rajon. Për herë të parë vendi ynë merr kryesimin e një  organizate të rëndësishme ndërkombëtare me shtrirje nga Vankuveri në  Vladivostok, siç është OSBE. Me drejtimin e kësaj organizate Shqipëria  hyn në një fazë vendimtare e të pakthyeshme, në fazën e kontributit për  arkitekturën e sigurisë evropiane.

Festat e fundvitit janë një  mundësi e shkëlqyer edhe për të qëndruar më shumë pranë njëri-tjetrit  duke reflektuar për çka lëmë pas, por edhe për sfidat e të ardhmes. Ne  shqiptarët duhet të flasim më shumë me njëri-tjetrin, e të mësojmë nga  njëri-tjetri. Por më e rëndësishmja është që ne të dëgjojmë  njëri-tjetrin.

 Shqiptarët, kudo ku ndodhen në rajon, edhe për  gjatë ‘stuhive’ të 2018 treguan se ata mbeten faktori më  i qëndrueshëm  pro-Euro Atlantik. Duke refuzuar në të njëjtën kohë që të vendosin si  kolateral arritjet historike që prej rënies së perdes së hekurt. 

  Ky vokacion, sa natyror aq edhe pragmatist, duhet të përbëjë nxitjen  tonë të fortë e kompasin orientues për të punuar së bashku për  konsolidimin e reformave; për jetësimin e të vetmit projekt realist,  atij të bashkimit në familjen e përbashkët europiane; për krijimin e një  perspektive të qëndrueshme arsimimi dhe punësimi, para së gjithash për  të rinjtë tanë; për forcimin e demokracisë dhe shoqërisë së shanseve të  barabarta dhe përparimin e të drejtave të shqiptarëve kudo ato jetojnë.

 Dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë një vit të mbarë e të mbushur me arritje dhe momente gëzimi.

 I uroj shërbimit të jashtëm një vit të suksesshëm përpara.

 Le të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë.