27 nëntor 2015 – Pas divorcit, një pjesë e mirë e fëmijëve nuk përfitojnë pensionin që u takon me ligj. Studimi i kryer nga qendra “Nisma ligjore qytetare” tregon se në 70% të rasteve, të divorcuarit nuk zbatojnë vendimet e gjykatave.
70% e vendimeve gjyqësore për pensionet ushqimore nuk zbatohen.
Sipas studimit të Qendrës për nisma ligjore qytetare, ky është ngërçi më i madh me të cilën përballet sistemi gjyqësor kur trajton zgjidhjen e martesave.
“Mbajnë fëmijët dhe natyrisht gjykata ka caktuar një pension ushqimor për rritjen e fëmijëve. Cilat ishin këto probleme? Janë disa. Sikurse rezulton nga monitorimi edhe nga praktikat e qendrës për nisma ligjore qytetare, në masën 85% janë nënat ato që ngarkohen nga gjykata me përgjegjësinë për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Është mosekzekutimi në masën 80% i vendimeve të gjykatës për pensionin ushqimor”, thotë Aurela Anastasi.
Sipas studimit janë disa faktorë që pengojnë zbatimin e ndarjes e së pensionit ushqimor për fëmijët pas ndarjes së prindërve si: ish-bashkëshorti është i punësuar në punë informale dhe nuk deklaron të ardhurat; organet shtetërore kanë vepruar me ndërprerje në vjeljen e detyrimeve , ose nëna është vonuar në paraqitjen e kërkesave.
Qendra për nisma ligjore ka monitoruar 655 vendime gjyqësore ku bie në sy fakti se në 62% të kërkesave janë gratë ato që kërkojnë zgjidhjen e martesës.
Ajo që del në pah nga ky studim është profili i grave që kërkojnë zgjidhjen e divorci, që janë kryesisht gra të punësuara me arsim të mesëm dhe që i përkasin grup moshës 35- 45 vjeç. /OraNews