Sarandë, 18 gusht 2014 – Familjarët e Agron Canes janë të tronditur nga çfarë ka ndodhur në Sarandë. Në një prononcim për “Panorama” ata shprehen se nuk e besojnë që kryefamiljari të ketë vepruar ashtu siç akuzohet, por pretendojnë për manipulim.
Bashkëshortja e Agron (Andon) Canes ndodhet në Greqi, së bashku me dy djemtë, të cilët kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë prej vitesh në shtetin fqinj.
Pas kërkesës së “Panoramës” për të marrë reagimin e tyre për arrestimin e 62-vjeçarit, djali i vogël i Canes, Dhimitër Cane, kërkon drejtësi për babanë.
Sipas djalit, Agroni është një burrë me karakter të prerë dhe bamirës. Në të njëjtën kohë ai shton se “kallëzuesja është nga Navarica, andej nga jemi edhe ne me origjinë. Jam i bindur se babai e ka ndihmuar si bashkëfshatare, duke ndihmuar edhe vajzën që të trajtohej me ilaçe, pasi është e sëmurë”.
Ndërkohë gruaja e Canes e konsideron sulm politik gjithë këtë ngjarje.
Sipas Eleni Cane, “Agroni ka qenë dhe është një bashkëshort i rregullt, ka bërë një jetë familjare të rregullt dhe nuk ka qenë asnjëherë i implikuar në gjëra të tilla. Çdo gjë që thuhet dhe përshkruhet nuk është e vërtetë, ky është një sulm politik”.
Ashtu si dhe djali, bashkëshortja e të arrestuarit kërkon që prokuroria dhe drejtësia ta çojë deri në fund këtë investigim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





