Djali i një deputeti të njohur në Greqi dhe dy oficerë të policisë helene dyshohet se luajtën një rol kyç në grupin 11-anëtarësh greko-shqiptar të trafikimit të drogës, të goditur së fundmi nga efektivët e Policisë greke.
Grupi, siç raporton këtë të hënë prestigjiozja greke “Espresso”, i kishte shtrirë tentakulat në Atikë, Thesali dhe Peloponez dhe ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe hashashi. Arrestimet erdhën pas hetimeve që zgjatën katër muaj.
Të premten, oficeret e policisë vijuan me bastisje në disa banesa, duke vënë në pranga 9 persona (nga 11 të dyshuar), pesë greke dhe katër shqiptarë. Identitetet e personave të arrestuar nuk bëhen me dije. Lideri i grupit dyshohet se është një shqiptar, i cili deri më tani i ka shpëtuar prangave. Bashkë me këtë të fundit, edhe një tjetër person është në kërkim policor.
Djali i politikanit raportohet se u arrestua në banesën ku jetonte (bashkë me të atin). Ai dyshohet se kishte një rol aktiv në grup, bashkë me të dy oficerët e policisë të cilët, duke përfituar nga statusi i tyre, u dhanë anëtarëve të bandës informata për të lehtësuar veprimet e tyre. Efektivët e policisë, po hetohen në gjendje të lirë pas arrestimit. I pari shërbente në Atikë ndërsa i dyti në Grevena.
Droga trafikohej me autobusë, por edhe me rrugë ajrore. Gjatë bastisjeve në banesat e përdorura nga të dyshuarit, policia gjeti dhe sekuestroi mes të tjerash pesë armë zjarri, stoli dhe sende të çmuara, disa telefona celularë dhe një shumë prej 35,000 euro. Mes provave që kanë administruar hetuesit janë edhe përgjime.