TIRANE, 12 prill 2013– Një ngjarje e ndodhur në vitin 1969 është rikthyer në vëmendje. Ligor Goreja i është drejtuar gjykatës dhe prokurorisë për zhvarrosjen e  babait të tij, Ndon Goreja, pasi dyshon se vdekja e të atit ishte e stisur dhe se familja nuk ishte lejuar ta shikonte  të ndjerin brenda arkivolit. Djali i ish-punonjësit të Sigurimit ka qenë vetëm 6 vjeç në kohën kur babai i tij është varrosur dhe ka kërkuar zhvarrosjen për të identifikuar nëse brenda në arkivol ndodhet babai i tij apo jo.

Paditësi  thekson në padinë e vet se kohë pas humbjes së babait atij i kanë ardhur sinjale se ai ishte parë në Gjermani. Ligor Goreja thekson se edhe në kohën kur kishte vdekur i ati, qarkullonin zëra se ai  ishte dërguar me shërbim jashtë Shqipërisë, në Gjermani, nga Sigurimi i Shtetit.

Kërkesa është regjistruar në Gjykatën e Tiranës në janar 2013, me objekt ligjor “zhvarrim për identifikim personi”, bazuar në nenin 200 të Kodit të Procedurës Penale. Por  Gjykata e Shkallës së Parë  në vendimin e saj përfundon  “Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesën e bërë nga kërkuesi, konstaton se në bazë të nenit 200 të K. P. Penale: “Këqyrja e kufomës bëhet nga organi procedues në prani të mjekut ligjor. Për të bërë këqyrjen e kufomës, gjyqtari ose prokurori mund të urdhërojnë zhvarrimin duke njoftuar një pjesëtar të familjes së të vdekurit për të marrë pjesë, me përjashtim të rasteve kur kjo pjesëmarrje mund të dëmtojë qëllimin e këqyrjes.

Gjykata krijon bindjen se në lidhje me dyshimet e kërkuesit, ky i fundit fillimisht duhet t’i drejtohet Ministrisë së Rendit Publik, pasi është ky dekaster që ka të gjithë arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit dhe nëse i ndjeri Ndoi Goreja ka qenë efektiv i ish-Sigurimit të Shtetit dhe sipas pretendimeve të kërkuesit duhet të jetë dërguar me mision jashtë, një gjë e tillë verifikohet në arkivat e kësaj ministrie”.

Gjykata  ka arritur në konkluzionin se kërkesa e bërë nga kërkuesi Ligor Goreja është e pambështetur në prova dhe në ligj e për këto arsye duhet rrëzuar.