TIRANE – Endi Rama, djali i Fatmir Ramës, i njohur ndryshe me nofkën “Miri i Xhikes”, i ekzekutuar më 29 mars 2003, troket sërish në dyert e gjykatës, duke tentuar t’u japë fund fyerjeve që xhaxhallarët e tij i bëjnë kujtimit të babait të vdekur. Djali, që në fakt, asnjëherë familja Rama nuk e pranoi si pjesë të sajën, kërkon nga gjykata të detyrojë dy vëllezërit e babait t’i paguajnë dëmin jopasuror, që i kanë shkaktuar nga fyerjet e vazhdueshme që i bëjnë jo vetëm kujtimit të babait, por edhe dinjitetit të të miturit, duke mos e njohur si pjesë të familjes.

Dy xhaxhallarët e të miturit, Besnik e Luan Rama që në krye të herës e kanë kundërshtuar faktin se Endi Rama është djali i vëllait të tyre, Fatmir Rama, i cili u ekzekutua në kompleksin “Kartodrom 2000”, duke hedhur dyshime mbi atësinë. Për këtë shkak, Endi Rama ka vendosur t’i padisë në gjykatë dhe të kërkojë dëmshpërblim prej tyre. Në padinë që mban nr. 8734, Endri Rama konkretisht i kërkon gjykatës “Deklarimin e të paditurve përgjegjës për shkaktimin e dëmit jopasuror ndaj të miturit Endi Rama. 

Deklarimin e të paditurve përgjegjës solidarë për shkaktimin e dëmit jopasuror ndaj kujtimit të të ndjerit Fatmir Rama. Detyrimin e të paditurve për të mos cenuar në të ardhmen me deklarime apo veprime, dinjitetin e të miturit Endi Rama dhe kujtimin e të ndjerit Fatmir Rama. Detyrimin solidar të të paditurve të paguajnë dëmin jopasuror të shkaktuar ndaj Endi Ramës. Detyrimin solidar të të paditurve të paguajnë dëmin jopasuror të shkaktuar kujtimit të të ndjerit Fatmir Rama, trashëgimtarit të vetëm ligjor të tij, të birit, paditësit Endi Rama”. Thënë me fjalë të thjeshta, larg terminologjisë ligjore, Endri Rama u kërkoi vëllezërve të babait të mos e fyejnë më kujtimin e Fatmir Ramës, si dhe të mos cenojnë më dinjitetin e tij. 

Padia për pronat

Duket se mosmarrëveshjet mes Endi Ramës dhe xhaxhallarëve të tij për pronat nuk do të mbarojnë kurrë. Pas shumë ecejakesh në gjykatë, Endri Rama, ka hedhur sërish në gjyq Besnik dhe Luan Ramën, duke kërkuar që të njihet edhe ai si trashë-gimtar ligjor i pasurisë që trashëgonte i ati i ndjerë, Fatmir Rama. Objekti i padisë është: “Kërkimi trashëgimit: Njohjen e paditësit Endi Rama, i mitur, si trashëgimtar ligjor i pjesës takuese 1/3 të babait të tij të ndjerë, Fatmir Rama, pjesë të cilën Fatmir Rama e trashëgon nga prindërit e tij në masën 1/3, në mënyrë të barabartë me Besnik dhe Luan Ramën si dhe dorëzimin e pasurisë trashëgimore të Fetah Rama dhe Haxhire Rama (Grori) të pasurive”.

Në padi renditën pasuritë si me poshtë. “A. Pasuria paluajtshme e ndodhur në zonën kadastrale 8160 nr. pasurisë 6/380 B. Pasuria paluajtshme e ndodhur në zonën kadastrale 8160 nr. pasurisë 6/382 C. Pasuria paluajtshme e ndodhur në zonën kadastrale 8160 nr. pasurisë 6/388 D. Pasuria paluajtshme e ndodhur në regjistrin hipotekor nr. 334 dt. 29.07.2003, pasuria me nr. 3/12 në zonën kadastrale 8270 E. Pasuria e paluajtshme e ndodhur në zonën kadastrale 8160 nr. pasurie 4/154”. Endi Rama kërkoi gjithashtu shpalljen e pavlefshme të vendimit të dëshmisë së trashëgimisë nr. 2510 dt. 04.06.2003 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai kërkon nga gjykata që të urdhërohet regjistrimi i tij, si trashëgimtar ligjor me zëvendësim të Fetah Rama dhe Haxhire Rama në masën 1/3 të barabartë me Besnik dhe Luan Rama të të gjithë pasurive të luajtshme apo të paluajtshme kudo që ndodhen. Së fundi, ai kërkon të njihet si trashëgimtar ligjor i vetëm i radhës së parë i të ndjerit Fatmir Rama, për të gjitha pasuritë të luajtshme apo të paluajtshme kudo që ndodhen.