Djali i pronarit të peshkarexhës “Çelepija”, e zhdukur prej mesditës së të shtunës, mohon të ketë detyrime ndaj shtetasit egjiptian i cili ka marrë peng anije bashkë me kapitenin dhe motoristin.
Duke folur për Ora News, Florjan Çelepia, thotë se nuk i detyrohet asnjë pagë marinarit egjiptian.
Deklaratat e tij mbështeten dhe nga djali i kapitenit të anijes Dhimitër Malaj. Ata i bëjnë thirrje shtetit që ti ndihmojë.
Çelepija: “Nisim anijen në orën 14:00 në 18 qershor me rregulla dhe çdo gjë. Del anija për lundrim. Kontaktojmë pas kalatës së parë ku jeni, ndërkohë ata nuk kontaktuan. U bë dita e dytë duke folur në radio, nuk përgjigjeshin. Kaloi dhe dita e tretë. Sot morëm njoftim që barka ka arritur në Egjipt. Marinari egjiptian e ka çuar atje, ka marrë me vete dhe kapitenin me peshkatarin, ka rrëmbyer barkën me marinarët. Kemi patur kontakte. Kërkon 70 mijë euro për lirimin e barkës dhe personave”.
Gazetari: I kërkon në formë gjobe?
Çelepija:“Nuk ia kam idenë. Me ne ka qenë shumë i kënaqur, i kemi pas dhënë dhe shtesë. Ka marrë pagat dhe mbipagë. Kërkojmë nga shteti të na sjellë marinarët gjallë, janë dy prindër që kanë lënë familjet. Nuk dimë çfarë të bëjmë, do i përgjigjemi për lekët, të na ndihmojë pak shteti se jemi dhe me banka”.
Djali i kapitenit të marrë peng: “Unë jam djali i kapitenit të anijes. Babai u nis ditën e shtunë dhe prej asaj dite nuk pata asnjë kontakt. Sot mësuam se anija është në Egjipt. U trembëm, i bëjmë thirrje shtetit të na ndihmojë. Nuk kemi patur probleme financiare, babai ishte shumë i kënaqur me punën. Kam tentuar vazhdimisht të kontaktoj në telefon me babain gjatë ditës por është e pamundur”.





