Djali i presidentit amerikan të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump Jr. shfaqi një qëndrim jo shumë miqësor ndaj shqiptarëve të Kosovës. 47-vjeçari publikoi një intervistë në kanalin e tij në videoblogun e famshëm amerikan Rumble me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, të zhvilluar më herët gjatë kësaj jave kur ai vizitoi Beogradin.

Që para intervistës, në një prezantim të shkurtër të Serbisë për publikun amerikan, Donaldi i ri shfaq një hartë të Ballkanit, ku nuk tregohen kufijtë e Kosovës. Duke përshkruar tensionet që çuan në luftën e Kosovës, ai jep variantin e tij pse administrata Klinton vendosi të bombardojë Serbinë.

“NATO bombardoi Serbinë në 1999, duke detyruar trupat serbe të tërhiqen nga Kosova. Siç e kemi diskutuar edhe në intervistë, kjo ndodhi në kulmin e skandalit mes Bill Klintonit dhe Monika Levinskit. Shumë e shohin këtë bombardim si largim të vëmendjes nga ky skandal i Bill Klintonit”, tha djali i presidentit amerikan.

Një tjetër moment gjatë intervistës kur ai renditet krah serbëve është edhe kur pyet Vuçiçin për presionin që po i bëhet nga ndërkombëtarët për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

Normalizimin e shoqëron duke bërë me gishtërinj shenjën e thonjëzave, duke nënkuptuar presion për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Pra, ke patur shumë trysni për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën…”, shprehet Donald Trump Jr.

Donaldi i ri e le Vuçiçin të flasë gjerësisht pa e ndërprerë, kur akuzon Klintonin se bombardoi në mënyrë të jashtëligjshme Serbinë në 1999-ën dhe kur akuzon Europën dhe NATO-n për shpalljen e njëanëshme të pavarësisë së Kosovës.